Ish-oficeri i policisë Emiljano Nuhu i ftuar në emisionin ABC-ja e Mëngjesit ka deklaruar se ka një përgjim që implikon kreun e grupit parlamentar të PS-së në bisedë me një person shumë të fuqishëm në Elbasan.
Ish-oficeri Nuhu tha se në vitin 2017 kishte nisur një procedim policor për një grup në Elbasan, por personi në fjalë i ka kërkuar Taulant Ballës të ndërpriten hetimet ose do të kërkojë paratë e hedhura për zgjedhje. Ai shtoi se fill pas një jave të gjithë drejtuesit e policisë janë pushuar nga puna ndërsa drejtoria e policisë e ka ndërprerë hetimin.
“Rreth vitit 2017 drejtoria e përgjithshme ka pasur një procedim policor të hapur për një grup në Elbasan për t’i mbajtur në vëzhgim për të parandaluar vepra të mëdha penale. Ka pasur edhe informatorë. Gjatë vëzhgimit dhe përgjimit ka qenë një telefonatë mes Taulant Ballës dhe një personi shumë të fuqishëm në Elbasan ku ky person i kërkonte të merrte masa për drejtuesit e policisë që kishte sjellë ose do të kërkonte paratë që kishte investuar për zgjedhje, diku te 3 milionë euro.
Një javë pas kësaj telefonate të gjithë drejtuesit e policisë u pushuan direkt nga puna. Drejtoria e ndërpreu operacionin dhe informacionin e mbledhur nuk e referoi në prokurori”, u shpreh Nuhu.