Kryeministrja e Zelandës së Re, Jacinda Ardern, ka njoftuar se secili banor i vendit të saj do të ketë qasje falas në vaksinimin kundër koronavirusit dhe madje një pjesë e vaksinave do t’u dhurohet vendeve fqinje në Oqeanin Paqësor.
Zonja Ardern njoftoi se ka nënshkruar kontrata me dy kompani farmaceutike shtesë për prodhimin e vaksinës kundër sëmundjes së re.
“Kjo do të na sigurojë që të kemi vaksina të mjaftueshme për tërë popullsinë e Zelandës së Re dhe për Paqësorin, nëse ato (vendet e Paqësorit) i dëshirojnë vaksinat”, tha ajo.
“Kemi siguruar vaksina të mjaftueshme për dozat e para në Tokelau, Niue, Ishujt Cook dhe për fqinjët tanë të Polinezisë – Samoan, Tongan, Tabalun, nëse qeveritë e tyre dëshirojnë t’i marrin ato (vaksinat), tha kryeministrja e vendit të largët.
“Jemi duke punuar ngushtë me Australinë, e cila gjithashtu po synon ta përkrahë vaksinimin në një pjesë më të gjerë të Paqësorit”, shtoi ajo, shkruan Daily Mail, transmeton Gazeta Express.
Një ndër udhëheqëset më të popullarizuara në botë u vlerësua lart në rrjetet sociale pas dhënies së këtij njoftimi.
“Duket sikur qeveria e tyre është nga një përrallë ose diçka e tillë”, shkroi një burrë në rrjetet sociale. Një person tjetër shkroi: “Edhe një herë, Zelanda e Re e turpëroi shumicën e shteteve. A mund ta vjedhim atë?”
Sipas marrëveshjeve të reja, Zelanda e Re do të sigurojë 7.6 milionë doza të vaksinës së kompanisë britanike “AstraZeneca”, që ka bashkëpunuar me Universitetin e Oksfordit, si dhe 10.7 milionë doza të vaksinës së kompanisë amerikane “Novavax”.