Ministrja e Punëve të Jashtme, Meliza Haradinaj-Stublla ka njoftuar se shqiptarët nga Lugina e Preshevës që jetojnë në Zvicër mund të udhëtojnë drejt Kosovës me Letërnjoftim biometrik të lëshuar nga shtetet anëtare të BE-së.
Haradinaj-Stublla ka thënë se në mungesë të letërnjoftimeve të lëshuara nga Serbia përshkak të fshirjes së adresave të shqiptarëve të Luginës së Preshevës të cilët jetojnë në Zvicër janë të privuar të udhëtojnë drejt Luginës përmes Kosovës.
“Jam e lumtur të njoftoj që është mundësuar për të gjithë shqiptarët nga Lugina e Preshevës të cilët jetojnë në Konfederatën Zvicerane, që të udhëtojnë drejt Republikës së Kosovës duke përdorur Letërnjoftimin (ID) ose Leje-qëndrimin e vlefshëm biometrik të lëshuar nga shtetet anëtare të BE-së apo shtetet anëtare të Zonës Schengen, ku përfshihet edhe Konfederata Zvicerane. Posedimi i këtyre dokumenteve, do të mjaftojë për të kaluar transit apo për të qëndruar deri në 90 ditë në territorin e Republikës së Kosovës. Vështirësi të tilla për udhëtim nuk do të paraqiten më as nga aeroporti i Cyrihut apo aeroporte të tjera në Konfederatën e Zvicrës. Në mungesë të letërnjoftimeve të lëshuara nga autoritetet e Serbisë dhe për shkak të fshirjes së adresave të tyre nga autoritetet serbe, deri më sot shqiptarët e Luginës së Preshevës të cilët jetojnë në Konfederatën Zvicerane, janë privuar të udhëtojnë drejt Luginës përmes Republikës së Kosovës”, ka thënë Haradinaj-Stublla.