Në kulmin e debateve për zgjerimin e Greqisë me 12 milje në Detin Jon, ministri i Jashtëm i Greqisë, Nikos Dendias, ka zhvilluar një bisedë telefonike me kryeministrin Edi Rama. Për bisedën ka njoftuar në Twitter.
“Në një bisedë telefonike me kryeministrin e Shqipërisë diskutuam zhvillimet e fundit në rajon”, ka shkruar Dendias. Kryeministri Edi Rama nuk ka dhënë ndonjë njoftim për temat e diskutimit. Ndërkohë që për herë të parë, ish-ministri i Jashtëm i Shqipërisë, Ditmir Bushati, zbulon negociatat me Greqinë për çështjen e delimitimit të kufirit detar, por dhe çështjet e tjera. Sipas Bushatit, deti është e mirë e përbashkët që sjell zhvillim, përveçse epërsi në ushtrimin e politikës së jashtme, prandaj ai duhet shoqëruar me disiplinë strategjike e atdhedashuri, por që në fakt këta 30 vjetët e fundit është shkatërruar, si pasojë e kombinimit të mungesës së vizionit zhvillimor me grykësinë e pandalshme të kapitalizmit grabitqar.
“Gjatë periudhës së izolimit komunist, vija jonë bregdetare ishte e pashfrytëzuar, ndërkohë që rrethanat gjeopolitike dhe ndarja në blloqe e Evropës, shoqëroheshin me veprime paranojake. Megjithëkëtë, në periudhën e fundit të komunizmit, kriteret e përcaktuara nga e drejta ndërkombëtare e detit për hapësirat detare u respektuan. Kjo u diktua nga progresi që njohu e drejta ndërkombëtare e detit me miratimin e Konventës së Montego Bay në vitin 1982. Në arkivin e Ministrisë së Punëve të Jashtme ka analiza profesionale, jashtë ndikimit ideologjik, që dëshmojnë rëndësinë që Shqipëria e izoluar u kushtonte këtyre zhvillimeve ndërkombëtare, për shkak të përkatësisë së saj në Mesdhe”, deklaroi Ditmir Bushati.
Por 30 vjet më pas, ish-shefi i diplomacisë shqiptare konstaton me dhimbje se një pjesë e mirë e vijës bregdetare është shkatërruar, si pasojë e kombinimit të mungesës së vizionit zhvillimor me grykësinë e pandalshme të kapitalizmit grabitqar.
“30 vjet më pas, ende nuk jemi në gjendje të tregojmë një investim serioz që të ketë prodhuar efekte në të gjithë zinxhirin e vlerave të ekonomisë, të cilat burojnë prej detit, qoftë edhe në një copëz të rivierës sonë. Mirëpo, sa herë që diskutohet për çështjet e hapësirave detare me fqinjët, shpërthen furia e hipokrizisë, duke na kujtuar thënien e Goethe: “Ai që vepron, është gjithmonë i padrejtë. I vetmi që është i drejtë, është ai që vëzhgon””, theksoi Bushati.
Sipas Bushatit, rasti i kufirit detar me Greqinë, ndryshe nga fqinjët e tjerë si Italia e Mali i Zi, janë një marrëdhënie dashuri-urrejtje. “Ndonëse përballë nesh gjeografikisht është Italia, e në dy krahët tanë kemi Greqinë dhe Malin e Zi, në shënjestër është gjithnjë procesi i delimitimit të hapësirave me Greqinë, tipar i stilit ballkanik të një marrëdhënieje dashuri-urrejtje. Deri më sot mungojnë diskutimet publike për të nxitur mbylljen e procesit të gjysmëpërfunduar me Italinë që nga koha e komunizmit apo për të nisur procesin e delimitimit me Malin e Zi”, deklaroi Bushati.
Dy vjet pas largimit të tij nga detyra e ministrit, gjatë së cilës kishte drejtuar një negociatë të vazhdueshme me homologët e tij grekë që nga 2013-a, Bushati tregon vështirësitë në këto negociata, pas rrëzimit të Marrëveshjes së detit nga Gjykata Kushtetuese më 2010, ndërsa jep dhe detaje se çfarë përmbante materiali voluminoz prej 1200 faqesh i këtyre negociatave.
“Përgjatë këtij procesi disavjeçar që përfshin institucionet kryesore të vendit, Ministria për Europën dhe Punët e Jashtme ka përgatitur një dosje voluminoze rreth 1200 faqe, me materiale studimore, arkivore, ligjore, hartografike, fotografike, arkeologjike, minerale, hidrokarbure, navigacionale e të tjera. Ky angazhim serioz me Greqinë mbështetej nga partnerët tanë strategjikë, të cilët mbaheshin të informuar për paketën e çështjeve në diskutim dhe inkurajonin gjetjen e zgjidhjeve të qëndrueshme mes palëve. Gjithashtu, duhet theksuar fakti se gjatë kësaj periudhe Greqia ishte e angazhuar edhe në një front tjetër diplomatik me Maqedoninë e Veriut, që u kurorëzua me Marrëveshjen e Prespës”, thotë Ditmir Bushati. Ish-ministri i Jashtëm, Bushati, u përgjigjet edhe kritikëve, veçanërisht ish-kryeministrit Sali Berisha, për çështjen e zgjerimit të Greqisë me 12 milje në Detin Jon, kur i kujton se në nenin 2 të asaj marrëveshjeje që ka firmosur i njihte shprehimisht gjerësinë e detit territorial të Greqisë prej 12 miljesh detare, kur në fakt kjo çështje s’ka pse të jetë objekt i marrëveshjeve, pasi është çështje e brendshme e vetë shteteve që rregullohet duke u bazuar në Konventën e të Drejtës së Detit. Por, duke folur për momentin në të cilin ka mbetur zgjidhja e çështjes së kufirit detar me Greqinë, Bushati e cilëson të dhimbshëm faktin se pavarësisht përpjekjeve disavjeçare që çështja e delimitimit të hapësirës detare të mbetej në nivel dypalësh, për herë të parë, mënyra e zgjidhjes së kësaj çështjeje dypalëshe përfshihet në projektdokumentin e kuadrit negociues që do të udhëheqë procesin e bisedimeve të anëtarësimit të Shqipërisë në Bashkimin Evropian, duke mos fshehur presion që Greqia po bën për këtë çështje. Çështja e përfshirjes së delitimimit të kufirit detar si pjesë e agjendës evropiane dhe presioni i Greqisë ndaj Shqipërisë, sipas Bushatit, vijnë edhe për shkak të ndryshimeve politike në Greqi në vitin 2019. Duke folur për zgjidhjen e kësaj çështjeje në Gjykatën Ndërkombëtare, ish-ministri i Jashtëm shprehet se “Shqipëria dhe Greqia do të duhet të përfshihen sërish në një proces ndërveprues, nga i cili duhet të hartojnë një dokument të përbashkët për lëndën që do t’i nënshtrohet gjykimit, ku duhet të evidentohen gjithashtu pikat e përbashkëta dhe diferencat mes palëve, për të cilat duhet të shprehet Gjykata”.