Ambasadori i Prezencës së OSBE në Tiranë, Bernd Borchardt, e ka cilësuar çështje të brendshme të gjithë debatin mbi dekretin e presidentit për anulimin e datës së zgjedhjeve por edhe nismën e PS për shkarkimin e Presidentit.
Borchardt: Kryesia jonë bëri një deklaratë shumë të fortë për këtë javën që kaloi. Dhe kryesia e radhës e OSBE kur ishte këtu tha se sa i takon zgjedhjeve ëhstë çështje e brendshme e Shqipërisë. Kjo është çështje e debatit të brendshëm dhe kam shumë besim se institucionet shqiptare do të gjejnë se kush e ka argumentin më të mirë ligjor.
Ndërsa Presidenti Meta ka paralajmëruar një konflikt civil nëse shkohet në zgjedhje me një parti, Ambasadori i OSBE-së pati këtë koment.
Borchardt: Ne kemi thënë shumë qartë se protesta dhe ngritja e zërit është e drejtë demokratike dhe patjetër që këto përgjegjësi i kalojnë atyre që organizojnë këto lloj protestash dhe kanë përgjegjësinë për dhunën e organizuar.
Sa i takon nismës së PS për shkarkimin e Presidentit, ai tha: “Kjo është çështje e brendshme e Shqipërisë që i përket parlamentit, Kushtetutës dhe pastaj Gjykatës Kushtetuese”.
I pyetur nëse do të ketë zgjedhje me 30 qershor, Ambasadori deklaroi: “Institucionet shqiptare janë ato që do të marrin këtë vendim.Janë çështje të vështira me pikëpamje të ndryshme ligjore dhe do ti shikojmë”.
Deklaratat Ambasadori i OSBE-së i bëri gjatë ekspozitës për korrupsionin ku tërhoqi vëmendjen se lufta kundër korrupsionit në Shqipëri ka shënuar rënie gjatë dy viteve.