Në Itali, ku fushata e vaksinimit filloi më 27 dhjetor të vitit të kaluar, si në pjesën më të madhe të Evropës, qytetarët kanë folur për vonesën e vaksinës dhe furnizimin në kryeqytetin italian
Baris Seckin
Në Itali, një nga vendet që më së shumti është goditur nga lloji i ri i koronavirusit (COVID-19), qytetarët e shohin vaksinën si shpresë për dalje nga pandemia, raporton Anadolu Agency (AA).
Në Itali, ku fushata e vaksinimit filloi më 27 dhjetor të vitit të kaluar, si në pjesën më të madhe të Evropës, qytetarët kanë folur për vonesën e vaksinës dhe furnizimin në kryeqytetin italian.
Tridhjetë e pesë vjeçari Stefano konsideron se vaksina mund të ndalojë epideminë e COVID-19.
“Definitivisht do të marrë këtë vaksinë. Nuk e di kur do të më vijë radha. Nuk e di nëse do të vaksinohem në Itali apo Kanada ku planifikoj të punoj”, tha ai.
Stefano vonesën e furnizimit me vaksina e sheh si një problem logjistik dhe beson se duhet kohë për ta bërë këtë.
Silvia gjithashtu beson se vaksina mund të ndalojë epideminë. Duke deklaruar se edhe ajo është për vaksinën, ajo tha se mezi pret të vaksinohet.
E pyetur se çfarë mendonte për vonesën e vaksinës, Silvia tha: “Po, duket se është ashtu, por çfarë mund të bëjmë si qytetarë? Vetëm presim. Shpresoj të vaksinohen verës”.
Edhe Alessandro, 27-vjeç, shpreson se vaksina mund të ndalojë epideminë.
“Të gjithë jemi duke pritur këtë. Të gjithë po mendojmë të fillojmë nga e para dhe të kthehemi në jetën normale. Shpresojmë për gjëra të mira”, tha Alessandro.
Sipas tij, ai nuk pret të vaksinohet para shtatorit ose tetorit.
“Me padurim jam duke pritur radhën time. Kur të vijë koha, patjetër do të marr vaksinën. Mendoj se kjo është e vetmja rrugëdalje”, theksoi Alessandro.
Për vaksinën është edhe Paola.
“Kam dëgjuar për vonesat në Pfizer, por jam e sigurt se do të sigurohen për të gjithë. Do të vaksinohem kur të jetë e mundur”, tha Paola.
Ajo është e mendimit se vaksina sigurisht që do të kontribuojë në ndalimin e epidemisë.
Fiorella Reyes, e cila gjashtë vjet më parë erdhi në Itali nga Venezuela dhe punoi në një kafene, tha se epidemia ka ndikuar shumë në punën e tyre.
“E shoh që është e vështirë të luftohet me epideminë. Nuk dihet se çfarë ndikimi do të kenë vaksinat në një shkallë globale. Kjo epidemi po krijon probleme edhe në të gjithë sektorët e biznesit. Nuk ka turistë. Fitimet tona janë shumë të ulëta. Po shqetësohem për punën time. Nuk e dimë sa gjatë mund të durojmë”, tha ajo, duke shtuar se edhe ajo është për vaksinimin.
Angela Palumbo, mjeke e cila ka punuar në Itali dhe Spanjë, po ashtu është për vaksinën.
“Sigurisht se angazhohem për vaksinën. Vaksinimi definitivisht është zgjidhja e vetme për shpëtimin nga kjo epidemi”, tha ajo.
Palumbo ende nuk është vaksinuar dhe pret t’i vijë radha.
Në Itali që nga fillimi i pandemisë janë regjistruar 86.422 raste të vdekjes si pasojë e koronavirusit. Numri i rasteve është 2.485.956.