Nënkryetari i LSI, Petrit Vasili ka qenë i ftuar në RTV Ora ku ka komentuar mbërritjen e 1170 dozave të tjera të vaksinave anticovid.
Vasili ka thënë se vendi ka mbërritur në pikën ku bëhen 15 vaksina në ditë, në një kohë që sipas tij do duhen dhjetëra vjet që të mbarojë si proces.
“Unë kam bërë një parashikim që do të duheshin disa dhjetëra vjet për vaksinimin, por ju patë edhe një komedi. 970 vaksinat që erdhën nuk kanë mbaruar së aplikuari dhe u bënë 21 ditë që është vaksinuar kryeministri. I ka ardhur radha që të vaksinohet sërish. Ka arritur që bëhen 15 vaksina në ditë. Në Shqipëri kemi 900 e disa të infektuar zyrtarë, jo realë, sepse numri real është më shumë se kaq. Pra kemi një situatë dramatike, numri i vdekjeve që rritet, përqindjet e vdekjeve shumë të larta. Nga mesatarja me vitet e tjera kemi rritje me 6000 vdekje”, tha Vasili.
A ju bën përshtypje fotoja e kryeministrit që tregon shollën e këpucës?
“Që të jem i sinqertë Edi Rama gjithmonë u ka treguar shollën e këpucëve shqiptarëve, sepse në 8 vjet që është kryeministër, iu sfidoj që të numëroni 8 arritje të tijat. Ju nuk do të numëroni qoftë edhe një të vetme. Koncesionet një supervjedhje, dëmin e të cilës do ta paguajmë për një kohë shumë të gjatë. Bëhet fjalë për miliarda. Pra një njeri që nuk numëron asnjë arritje u ka treguar shollën shqiptarëve”, tha ai.