Angelina Jolie po shet pikturën e vetme të krijuar nga Kryeministri Britanik, Winston Churchill, gjatë Luftës së Dytë Botërore, një punim që pritet të arrijë vlerën 3.4 milionë dollarë në ankand.
Churchill pikturoi “Kullën e Xhamisë Koutoubia” në Marrakech, Marok, pasi mori pjesë në Konferencën e Casablanca- s në janar 1943, gjatë së cilës ai dhe Presidenti i Shteteve të Bashkuara të Amerikës, Franklin D. Roosevelt formuluan fazën tjetër të strategjisë së tyre për mposhtjen e nazistëve.
Churchill ia dha pikturën Roosevelt-it dhe në fund, vepra e artit e gjeti rrugën e vet në koleksionin e veprave artistike të vetë Jolie-s.
“Është e vetmja vepër që Churchill pikturoi gjatë luftës, mbase i inkurajuar nga përparimi i fundit i bërë nga aleatët në atë që ai e konsideronte si një nga vendet më të bukura që kishte hasur”, tha Nick Orchard, kreu i artit modern britanik në një deklaratë për media.
Piktura u bë pasi të dy udhëheqësit ranë dakord të pranonin vetëm një “dorëzim të pakushtëzuar” nga fuqitë e Boshtit, një deklaratë strategjike e rëndësishme e qëllimit, nga të dy figurat e kohës së luftës.
Shtëpia e ankandeve nuk dha më shumë detaje se si kjo pikturë mbërriti në pronësinë e aktores Jolie. Edhe pse Churchill pikturoi disa skena në Marok para se të fillonte lufta, kjo është e vetmja punë e njohur që ai bëri midis viteve 1939 dhe 1945.
“Kulla e Xhamisë së Koutoubia” është pa dyshim piktura më e mirë nga Winston Churchill për shkak të rëndësisë së përfaqësonte për të dhe faktit që thekson rëndësinë e miqësisë midis dy udhëheqësve” shtoi Orchard.
Dhurata e kësaj pikture për Roosevelt nënvizon faktin se Churchill e mbajti Presidentin Amerikan në një vlerësim tejet të lartë dhe tregon përpjekjet e tyre të përbashkëta për të drejtuar fuqitë Aleate, në rezultatin e Luftës së Dytë Botërore.
Vepra artistike pritet të dalë në ankand në 1 Mars.
Burimi origjinal: CNN
Përshtati në shqip: SCAN