Gjatë takimit Meta vuri theksin në rritjen e mëtejshëm të bashkëpunimin ekonomik e tregtar, shkëmbimin e përvojës në fushën e nxitjes së investimeve të huaja të drejtpërdrejta dhe pjesëmarrjes në projekte dypalëshe e rajonale
Presidenti i Shqipërisë, Ilir Meta, priti në një takim ministrin e Punëve të Jashtme të Maqedonisë së Veriut, Bujar Osmani, i cili po realizon një vizitë zyrtare në Shqipëri, transmeton Anadolu Agency(AA).
Në një njoftim nga Presidenca e Shqipërisë, thuhet se presidenti Meta vlerësoi gjatë takimit rëndësinë e marrëdhënieve shumë të mira të fqinjësisë mes dy vendeve, si në nivelin dypalësh ashtu edhe rajonal.
Gjithashtu theksohet se Meta vuri theksin në rritjen e mëtejshme të bashkëpunimin ekonomik e tregtar, shkëmbimin e përvojës në fushën e nxitjes së investimeve të huaja të drejtpërdrejta dhe pjesëmarrjes në projekte dypalëshe e rajonale.
“Pjesëmarrja dhe roli aktiv i faktorit shqiptar në institucionet e Maqedonisë së Veriut, është provë e qëndrimit të tyre të palëkundur në mbështetje të projektit euroatlantik dhe të reformave të rëndësishme për ndërtimin e shtetit multi-etnik të Maqedonisë së Veriut”, është shprehur Meta.
Sipas njoftimit, presidenti i Shqipërisë shprehu bindjen se zbatimi i reformave, respektimi i agjendës europiane dhe zhvillimet demokratike të Maqedonisë së Veriut do t’i mundësojnë kapërcimin e pengesave në procesin e integrimit të saj evropian.
Presidenti Meta nënvizoi se si dy vende fqinje, aleate në NATO dhe me vizione të përbashkëta euroatlantike, Shqipëria dhe Maqedonia e Veriut “do të duhet të forcojnë edhe më shumë marrëdhëniet në dobi të paqes, stabilitetit e zhvillimit të rajonit”.
Ministri Osmani gjatë vizitës në Shqipëri realizoi një takim edhe me ministren për Evropën dhe Punët e Jashtme, Olta Xhaçka. Në deklaratën pas takimit, Xhaçka dhe Osmani u fokusuan në çështjet e bashkëpunimit mes dy vendeve, bashkëpunimin rajonal dhe procesin e integrimit evropian.