Ndërsa këtë të hënë u zhvillua ceremonia e përcjelljes për në banesën e fundit të dy të miturve Kles Nikolli, 9 vjeç dhe Enea Muçaj, 12 vjeç, që humbën jetën në aksidentin tragjik në Durrës, në banesën e 57-vjeçarit Nikoll Radaçi, i dyshuar si shkaktari i ngjarjes, nuk ka më asnjë person dhe dera është mbyllur. Mësohet se bashkëshortja e tij dhe dy fëmijët janë larguar nga banesa që pasditen e djeshme pasi ndodhi aksidenti, ndërsa vetë ai ndodhet i arrestuar në paraburgim.
Sipas të dhënave zyrtare, 57-vjeçari Nikoll Radaçi dyshohet se ka humbur kontrollin mbi automjetin tip “Mercedes-Benz ML”, teksa e drejtonte në gjendje të dehur, duke dalë nga rruga dhe përplasur tre fëmijë të moshave 8, 9 dhe 12 vjeç. Si pasojë e aksidentit, humbën jetën dy të miturit, ndërsa një 8-vjeçar që ishte me ta mbeti i plagosur rëndë dhe ndodhet në Spitalin e Traumës nën kujdesin e mjekëve.
Policia bën me dije se pas aksidentit, drejtuesi i automjetit është larguar nga vendngjarja, por është lokalizuar dhe shoqëruar nga patrullat e policisë. Testi i alkoolit ka rezultuar pozitiv, duke konfirmuar se ai ishte në gjendje të dehur në momentin e aksidentit.

