Klubi i Vllaznisë ka reaguar zyrtarisht përmes një deklarate të presidentit Alban Xhaferi, në lidhje me aludimet që kanë qarkulluar në ditët e fundit për integritetin e garës në Superiore ku janë ngritur dyshime në opinion publik, media dhe rrjete sociale.
Në deklaratë theksohet se këto aludime dhe komente që lidhen me rezultate të ndeshjeve në këtë fazë të kampionatit krijojnë një klimë mosbesimi dhe dëmtojnë rëndë imazhin e futbollit shqiptar në tërësi. Vllaznia sqaron se nuk ka qenë, nuk është dhe nuk do të jetë kurrë pjesë e asnjë marrëveshjeje apo veprimi që cenon lojën e ndershme, duke nënvizuar se çdo rezultat i arritur nga skuadra ka ardhur vetëm përmes punës, përkushtimit dhe meritës sportive në fushën e lojës.
Presidenti Alban Xhaferi ka theksuar gjithashtu se klubi përfaqëson një qytet me histori, traditë dhe dinjitet sportiv, dhe se çdo përpjekje për të lidhur emrin e Vllaznisë me dyshime të pabazuara është e padrejtë dhe e dëmshme. Ai ka shtuar se e kupton ndjeshmërinë e lartë të garës në këtë fazë të sezonit, por ka kërkuar që çdo pretendim të trajtohet vetëm mbi fakte dhe në rrugë zyrtare, jo përmes spekulimeve publike.
Në reagim nënvizohet se hedhja e akuzave pa prova prek jo vetëm klubet e përfshira, por gjithë sistemin e kampionatit dhe besimin e tifozëve te futbolli shqiptar. Për këtë arsye, Vllaznia i ka bërë thirrje mediave, opinionit sportiv dhe institucioneve për më shumë maturi dhe përgjegjësi në komunikim, duke theksuar se klubi do të vijojë të fokusohet vetëm te puna dhe performanca në fushë, duke respektuar parimet e lojës së ndershme deri në fund të sezonit.

