Para 8-9 vitesh, ndërsa punoja për librin e “Shqipëria nën Luftën e Ftohtë” dhe evidentoja oficerët britanikë të Drejtorisë për Operacione Speciale (SOE) që patën shërbyer gjatë viteve të Luftës së Dytë botërore në Shqipëri, hasa emrin e një oficeri britanik që kishte vepruar kryesisht në zonën e Vlorës dhe Labërisë. Emri i tij me ngjante me emrin një aktori të madh britanik të Holivudit. Mendova se kjo ishte një koincidencë dhe asgjë më shumë. Quhej Anthony Quayle.
Ne fakt, për çudi, gjeta se ishte pikërisht ai, që kishte qënë gjatë viteve të luftës në Shqipëri! – Ylli i Holivudit, Anthony Quayle, ndoshta ndër aktorët më të mëdhenj britanikë të shekullit të XX. Njeriu që ka luajtur me dhjetëra filma dhe interpretuar me dhjetëra të tjerë në skenat e teatrit londinez dhe më gjerë. Luajti përkrah aktorëve më të mëdhenj të Holivudit të shekullit të kaluar Gregory Peck, Gary Cooper, Anthony Quinn etj.; u laurua me një numër çmimesh prestigjoze.
U interesova për aktivitetin e tij dhe shpejt arrita të mësoj përmes historianit britanik Roderick Bailey, se ai, menjëherë mbas kthimit në Angli, në vitin 1945, kishte botuar një libër me kujtime rreth misionit të tij në Shqipërinë e jugut. Ky fakt paraqiste mjaft interes për mua, prandaj ngula këmbë të gjej një kopje të tij. Por, libri ishte botuar shumë vite më parë dhe prej asaj kohe nuk ishte ribotuar më. Kjo gjë e bënte pothuaj të pamundur gjetjen e botimit. Megjithatë, për fat, mbas disa kohësh, arrita të shtie në dorë një kopje të përdorur, të vjetruar, të mbetur diku larg në qoshet e harruara të ankandeve, të cilën një miku im nga Kanadaja ma dërgoi.
Fillova ta lexoj me një frymë. Libri ishte shkruar me një gjuhë dhe stil mjaft tërheqës, ndoshta për shkak se ishte shkruar menjëherë në ditët e para të pasluftës, ndërsa kujtimet e krismave të të vrarëve, të britmave të fitores etj. ishin ende të gjalla. Kishin qenë kohë emocionesh të mëdha, të ditëve të vështira të luftës, të ngjarjeve tronditëse, të dhimbjeve, lotëve dhe sigurisht të gëzimit për triumfin e madh.
Anthony Quayle ishte 28 vjeç kur mbërriti në tokën shqiptare, në vigjiljen e Vitit të Ri 1943, kohë në të cilën ai zëvendësoi një kolegun e tij Jerry Field, i cili ishte plagosur aksidentalisht në bregdetin shqiptar të Jonit. Gjer atëherë ai kishte shërbyer në Gjibraltar dhe pastaj do të transferohej në një front të vështirë të Ballkanit, në Shqipëri. Në kushte mjaft të vështira të terrenit dhe të motit, nën kontrollin dhe inkursionet e egra të forcave gjermane, majori i ri britanik, Athony Quayle do të zbriste në bregdetin e Himarës dhe prej aty do të fillonte aktivitetin e tij klandestin për të mbështetur dhe ndihmuar lëvizjen e armatosur kundër forcave të pushtuesit mazi-fashist.
Takim i oficerit britanik me Ballit Kombëtar
Pasi u strehua fillimisht me shokët e tij në disa shpella në malet e bregdetit të Labërisë, Quayle së pari mori kontakt me përfaqësuesit e Ballit Kombëtar, në Dukat, të cilët gjer në fund të vitit 1943 nuk kishin ndërmarrë ndonjë veprim ndaj gjermanëve.
Misioni i ushtarakëve britanikëve të SOE-s, që vepronin në prapavijat e pushtuesve gjermanë, kudo nëpër Evropë dhe në Ballkan, ishte të nxisnin të gjitha formacionet politike dhe përkrahësit e tyre në këto anë, të përfshiheshin në luftë kundër makinerisë ushtarake naziste. Nën këto synime, mbas disa debatesh me përfaqësuesit e Ballit Kombëtar, ushtaraku britanik u ishte drejtuar këtyre të fundit me pyetjen shteruese:
Majori Quayle: Cili do të jetë qëndrimi i juaj i mëtejmë ndaj forcave gjermane?
Njerëzit e Ballit: Asnjanës!
Majori Quayle: Po në rast se ne anglezët do të sulmojmë gjermanët në këto anë, cili do të jetë qëndrimi i juaj ?
“Njerëzit e Ballit: Ata tundën kokat dhe mbyllën gojën. Të ndërmerrje veprime agresive kundër gjermanëve, për ta ishte e rrezikshme. Shkurt ata ishin kundër kryerjes së ndonjë sulmi ndaj gjermanëve në zonën e tyre. Atëherë, përdora mjetin e fundit”, shkruan Quayle. Meqenëse ata nuk ndërmerrnin aksione kundër gjermanëve, i pyeta:
Majori Quayle: Ç’mendoni atëherë, nëse ne përdorim luginën tuaj për tu transportuar armë partizanëve?
Kjo pyetje shkaktoi diskutim të gjatë dhe në fund ata u shprehën:
Njerëzit e Ballit: Nëse udhëheqësit e Ballit në Vlorë do të dëgjonin këtë, Dukati do të sulmohej njëkohësisht edhe nga gjermanët edhe nga Balli Kombëtar.
Takimi me forcat partizane
Pak ditë më pas, Quayle kërkoi dhe mori takim me partizanët e Brigadës së Pestë, e cila vepronte në zonën e Labërisë, Vlorë, Tepelenë, Himarë dhe Gjirokastër.
Ndërsa ishte afruar në fshatin Tragjas, Anthony Quayle shkruan: “Pamja ishte e mjerueshme. Nga gjashtëqind shtëpi të vogla, të banuara kishin mbetur vetëm pesëdhjetë. Mure të çara, çati të rëna … Një banor, që dikur kishte qenë emigrant në Amerikë, në Detroit, u afrua dhe më tha: ‘Ky vend ka mbaruar krejt, shiko shtëpitë e shkatërruara … Në fillim italianët, pastaj gjermanët, Balli Kombëtar’. I habitur mendova: ‘Për këtë shkatërrim qenkan përgjegjës miqtë e mi të mbrëmshëm të Ballit Kombëtar, së bashku me italianët dhe gjermanët’”?
Shtabi i brigadës partizane
Ndërsa ishte afruar shtëpisë ku qëndronte shtabi i Brigadës së Pestë partizane, Quayle shkruan: “Një grup partizanësh më bombarduan me pyetje: ‘Si po shkon lufta? Kur do të mbarojë ajo? Si po shkojnë ushtritë aleate ne Itali? A do të sulmonin amerikanët në pranverë’? Duke hyrë në shtëpinë ku ishte vendosur Shtabi i Brigadës partizane, britaniku shënoi në ditarin e tij: “… Shtëpia ishte e pastër, muret e lyera në të bardhë, zjarri ishte ndezur, në dysheme ishin shtruar disa qylyma dhe anash ishin vendosur disa jastëkë të kuq të ndritshëm”.
Pas përshëndetjeve të para me komandën e Brigadës, britaniku filloi bisedën:
Majori Quayle: Jam dërguar këtu për t’i dhënë ndihmë të gjithë atyre që luftojnë kundër armikut të përbashkët. Pra, jam këtu tu ndihmoj. Se si do të vijë ndihma dhe në ç’sasi, këtë do ta bisedojmë sot.
Kështu kishte filluar bisedën britaniku përpara komandant Peçit dhe komisar “Besnikut” (Hysni Kapo, IK)
Përkthyesi që kishte dëgjuar përgjigjen e partizanëve kishte përmbledhur me fjalët e tij përgjigjen e dhënë nga “Besniku”:
Përkthyesi: Këta burra janë shumë të zëmëruar. Ata kanë vuajtur shumë …
Por, britaniku kërkoi nga përkthyesi i tij t’ia citonte fjalë për fjalë çfarë kishte thënë komisari i Brigadës. Duke zbatuar urdhrin e britanikut, përkthyesi kishte sjellë në ligjëratë të drejtë fjalët e “Besnikut”:
“Besniku”: Fjalët, për të na dhënë ndihmë, janë shumë të mirëpritura, por pas shumë premtimeve të mira, ne nuk kemi marrë asgjë nga ju! Kolegu juaj, Kith, që ishte këtu më parë dhe tani është larguar, u hodh me parashutë në zonën tonë dhe ne u kujdesëm për të. Ai na bëri shumë premtime për ndihmë, por në vend që të përmbushte premtimet e bëra, ai na la ne dhe e transferoi bazën e tij në territorin e Ballit. Ai i dha Dukatit ndihmat që na i kishte premtuar ne … Kështu, ne kënaqemi kur dëgjojmë fjalën “ndihmë”, por nuk ju besojmë, sepse jemi tradhtuar disa herë nga ana e juaj.
Ndërsa britaniku u përpoq të justifikonte veprimet e kolegut të tij të mëparshëm, në bisedë kishte ndërhyrë Komandant Peçi (Shefqet Peçi – Komandanti i Brigadës së Pestë). Ai ishte skuqur tepër në fytyrë, me zë të lartë dhe me shumë zjarr iu drejtua britanikut:
Komandant Peçi: Partizanët e kanë filluar luftën kundër pushtuesve fashistë pa ndihma nga Aleatët dhe nuk e mohoj se ndihma ishte tepër e nevojshme, por po të jetë nevoja partizanët shqiptarë do ta vazhdojnë luftën deri në fund edhe pa të … Dhe ta dini, Brigada e Pestë ka vazhduar rezistencën e saj edhe pa ndihma!
Pas pak ndërhyri “me një buzëqeshje fëmijërore, por krejt të sinqertë”, “Besniku” (Hysni Kapo). “Ai më kërkoi falje për shpërthimin e Komandantit të Brigadës, i cili mbante pseudonimin ‘Tërrmeti’. Reagimi i tij emocional, dhe fjalët e thëna troç kishin lënë përshtypjen tek ‘Besniku’ se më kishin fyer mua”!
Megjithatë, pas pak, të dy palët ishin qetuar, kishin lënë mënjanë debatet dhe tonet e ngritura, dhe mandej në një bisedë të shtruar, burrat kishin këmbyer mendim për një bazë e cila të kontrollohej nga partizanët, në bregdet (tek manastiri në Vuno), ku britanikët të mund të sillnin furnizimet ushtarake për partizanët.
Me një frazë të sinqertë, kujton britaniku, “’Besniku’ mbylli bisedat me mua, me një buzëqeshje të sinqertë që të çarmatoste, duke më dhënë këtë porosi: ‘Shumë mirë. Atëherë mund të ngrini një bazë në territorin e kontrolluar nga ne dhe të lini pas krahëve Ballin. Qoftë edhe për arsye të sigurisë tuaj, ju duhet ta bëni këtë! Ne do të vendosim në atë bazë një kompani partizanësh, madje edhe një batalion në dispozicion tuaj si rojë, pasi mes Ballit nuk do të jesh kurrë i sigurt. Ata po luftojnë bashkë me gjermanët. Çdo ditë ata mund t’ju tradhtojnë’! “E dija që në këtë pikë ata mund të kishin të drejtë”, ka shkruar britaniku.
Një bisedë mes “Besnikut” dhe majorit britanik
“’Besniku’ mbeti prapa me mua, për të diskutuar për hollësitë e materialeve për të cilat kishte nevojë Brigada e Pestë. Në këtë bisedë të drejtpërdrejtë pashë se ai fliste mirë frëngjishtën. Kjo do të thoshte se ne mund të komunikonim me njëri-tjetrin edhe pa ndihmën e përkthyesit.
Dua shtatëqind pushkë – vazhdoi “Besniku”!
C’madhësi ka Brigada e juaj – pyeta unë?
Ka mbi njëmijë vetë … por, ka edhe një forcë tjetër rezervistësh prej njëmijë vetash të tjerë, një lloj ‘roje vendore’, por pa armatim…
Çfarë prioritete keni në rroba dhe ushqim? – vazhdova unë.
‘Besniku’: Ju e kini parë vetë se në çfarë gjendje jemi. Nuk kemi pallto dhe së shpejti po afron dimri, dëbora … Por, shqetësimi ynë më i madh janë armët dhe municioni! Në qoftë se kemi armë ne mund të vazhdojmë të luftojmë edhe po të kemi pak ftohtë dhe uri, por ne nuk mund të vrasim gjermanë me batanije dhe kuti konservash mishi’
Ndërsa ishte larguar pak, Besniku u kthye përsëri nga unë dhe më tha: ‘Do të na falësh për ndonjë fjalë të rëndë që të kemi thënë, por nevoja jonë për tu ndeshur me armikun është shumë e madhe … Ka dhe një arsye përse nuk duhet të na zhgënjesh në premtimin që na bëtë. Arsyeja është se edhe ti je i ri, dhe të rinjtë nuk e zhgënjejnë njëri-tjetrin’!
Një rrëfim tjetër për Ballin Kombëtar
Me t’u kthyer në bazën e Ballit, vazhdon rrëfimet e tij Quayle, këta të fundit pyetën me nxitim: “’Ju pëlqyen Partizanët’? Më pëlqyen – u thashë. Dhe kjo ishte një e vërtetë. Dinamika, zjarri dhe qëllimi i partizanëve më kishte bërë përshtypje”!
Dhe, duke vazhduar bisedat më njërin nga ballistët, Çelën, më kofidentin mes tyre, britaniku dëgjoi me kureshtje të shtuar rrëfimin e tij për formacionin politik të cilit ai i takonte, Ballin Kombëtar. Çela në një bisedë të sinqertë i tregoi atij: “Major, dikur kam qenë një ballist shumë i fuqishëm derisa një ditë pashë me sytë e mi atë që ndryshe nuk do ta besoja. Pashë njerëz të partisë time krah për krah me gjermanët, që luftonin kundër shqiptarëve të tjerë, kundër partizanëve. E mora emblemën e Ballit Kombëtar nga kësula ime dhe e hodha përtokë. Që nga ajo ditë nuk jam më me Ballin”.
Një takim më komandantin e Ballit Kombëtar
Gjer aty nga fundi i muajit dhjetor 1943, Quayle kishte njohur edhe më mirë formacionet politike shqiptare që vepronin në zonat e Vlorës, në bregdetin e Himarës dhe Labërisë në tërësi; kishte dërguar një numër raportesh dhe informacione qendrës në Londër për to dhe kishte komunikuar periodikisht me bazën e aleatëve në Bari për të dërguar ndihma në armatim për forcat e rezistencës antifashiste.
Majori nuk kishte reshtur gjithashtu së debatuari me përfaqësuesit e Ballit për t’i bindur që ata të rreshtoheshin në frontet e luftimeve kundër pushtuesve gjermanë. Pikërisht, në fundin e këtij muaji, britaniku do të takohej me udhëheqësin kryesor të Ballit Kombëtar për qarkun e Vlorës, Skënder Muça.
Majori Quayle: Po tani po i luftoni gjermanët?
Skënder Muça: Jo! Unë tani po luftoj bashkë me ta!
“Më habiti sinqeriteti i tij”.
Skënder Muça: Po habitesh që më dëgjon të them këto fjalë? … Do të ta them arsyen. Lufta e jonë nuk është lufta e juaj. Është për të ardhur keq për ne shqiptarët, por kjo është e vërtetë.
“I kërkova të më shpjegonte se çfarë donte të thoshte me fjalët e mësipërme. Dhe, ai vazhdoi: ‘Një ditë aleatët do të mundin Gjermaninë. Kjo është e sigurt. Një ditë gjermanët ose do të dëbohen nga Ballkani ose do të ikin vetë. Atëherë do të fillojnë telashet tona, telashet e vërteta për Shqipërinë edhe për Jugosllavinë edhe për Greqinë”.
Majori Quayle: Atëherë përse nuk e bëni këtë kur të mbarojë lufta, por e bëni tani në mesin e saj madje bashkëpunoni me gjermanët?
“Muça lëshoi një të qeshur të përmbajtur dhe mandej vazhdoi: ‘Sepse lëvizja komuniste, nën maskën e një lëvizjeje patriotike, atëherë do të jetë forcuar shumë … Prandaj, për t’i paraprirë kësaj ne do të përdorim gjermanët, që tani ndodhen në Shqipëri, si armë për të shkatërruar komunistët dhe lëvizjen e tyre”.
Majori Quayle: Sigurisht, Muça po hapte të gjitha kartat, që kishte mënjanë, mbi tavolinë. Mundet që ai të kishte kuptuar faktin se meqë fshehja tanimë ishte e pamundur, sinqeriteti do të ishte politika më e mirë.
Reagimi i majorit britanik
Majori Quayle: Po luani një lojë shumë të rrezikshme! Vetë ju thoni, madje besoni se gjermanet do të munden! Ju nënkuptoni se ndihma pas lufte, apo ndërhyrja nga Rusia, do të jetë e papëlqyeshme për ju. Mbeten Amerika apo Anglia si ndihmës potencialë për ju. Por, aktualisht ju po bëni ç’është e mundur që t’u kundërviheni atyre, sepse “de fakto” ju jeni duke bashkëpunuar me gjermanët!
Skënder Muço: E pranoj është një rrezik, por unë jam mësuar me rreziqe. Unë kam rrezikuar shumë që erdha këtu, të bisedoj me ju. Në qoftë se e marrin vesh gjermanët unë do të … (dhe bëri shenjë me gisht sikur tërhiqte këmbëzën e kobures).
Majori Quayle: Shiko, të këshilloj të ndërroni politikë … Të këshilloj dhe të kërkoj të më besosh se të flas si një njeri që të pëlqen dhe që uron si të mirën e vendit tuaj, ashtu edhe për të mirën tuaj personale. Po ju them si një i huaj i paanshëm se ju kini bërë një gabim fatal.
Skënder Muço: Nuk mund të ndryshoj. Partia ime i është përkushtuar kësaj rruge dhe nuk ka kthim. Mos harroni se vendos historia, nëse dikush ka të drejtë apo jo …
Majori Quayle: Ju mendoni se do t’i shkatërroni partizanët?
Skënder Muço: Major, tani po zhvillohet një operacion i madh kundër partizanëve, jo vetëm kundër Brigadës së Pestë, por në të gjithë Shqipërinë e Jugut. Sulmi po shkon mirë, shumë mirë … Lëvizja partizane është në prag të dështimit.
Por, ato tre muaj, të operacionit gjerman të dimrit, do të tregonin krejt të kundërtën. Qëndresa partizane jo vetëm do t’i rezistonte operacionit gjerman, por mbas operacionit Lëvizja Antifashiste Nacionalçlirimtare do të dilte edhe më e fortë se më parë. Këto ngjarje kishte rastin t’i shihte me sytë e tij edhe vetë majori britanik i cili në përfundim të operacioneve gjermane, duke folur me përfaqësuesit e Ballit Kombëtar do t’u deklaronte:
Majori Quayle: Më parë kisha biseduar me Skënder Muçon. Ai foli me mua për rolin e udhëheqjes së Ballit dhe më bëri premtime. Që atëherë nuk kam dëgjuar gjë prej tij. Asnjë nga premtimet e tij nuk është përmbushur. Kështu, duket se Aleatët nuk mund të mbështeten më tek Balli Kombëtar si parti.
Duke iu drejtuar përkrahësve të Ballit, britaniku ishte drejtuar me këto fjalë: “Çfarë kini bërë ju deri tani? Kini dalë jashtë fshatit dhe kini shkuar e luftuar kundër forcave partizane. Kini luftuar krah për krah me gjermanët. Ky ka qenë një gabim i madh. Por, kini bërë edhe një të keqe tjetër – ju nuk kini pasur sukses. Partizanët nuk u shkatërruan. Ajo që bëtë ishte se jshkaktuat dhe nxitët një armiqësi akoma më të madhe të partizanëve kundër jush. Por, jo vetëm kaq, ju kini krijuar armiqësi edhe me Aleatët … Kjo luftë duket qartë se do të përfundojë me fitoren e Aleatëve dhe pyes se çfarë do të bëhet me ju kur të mbarojë lufta? Në çfarë pozicioni do të ndodheni ju atëherë? Rrethuar nga armiqtë tuaj, partizanët nga njëra anë dhe pa mbështetje apo simpati nga Aleatët nga ana tjetër … Meqë ju luftoni në krah të gjermanëve, ju humbisni simpatinë e popullit tuaj, por edhe të Aleatëve gjithashtu. Kjo është e gjitha. Ju dhe partia e juaj tanimë jeni në një gjendje prej të cilës nuk di se si do të shpëtoni, por që duhet të shpëtoni, qoftë edhe vetëm për të mbijetuar”.
Takimi i fundit me komandën e Brigadës së Pestë partizane
I tradhtuar nga ballistët dhe i mbajtur në izolim, në një gjendje arresti, Quayle mundi të dalë dhe largohet për të bërë një takim me forcat partizane, në zonat e kontrolluara nga Brigada e Pestë, në fshatin Gumenicë të Labërisë. Mbasi kishte mbërritur aty, për këtë takim ai ka shkruar: “Në qendër të fshatit takuam dy vajza partizane, të dyja me armë në sup. I pyetëm nëse ishte aty ‘Besniku’. Na thanë se ishte dhe shtuan se na duhej të prisnim një minutë derisa ta njoftonin për ardhjen tonë. Nuk na lanë gjatë. Aty pranë u dëgjuan zhurma dhe bisedat e ‘Besnikut’, Peçit dhe e një turme ndjekësish. U bë një shtrëngim entuziast duarsh dhe ai i ‘Besnikut’ mu duk i sinqertë. Sigurisht, isha i gëzuar që e takoja atë njeri, por ndërsa ecnim gjatë rrugës së ngushtë, me të tjerë që vinin pas nesh, kujtoja fjalët e fundit që më kishte thënë: ‘Ju jeni gjithashtu i ri si edhe unë dhe të rinjtë nuk zhgënjejnë njeri tjetrin’! Kjo më shqetësonte, sepse ndërsa zhgënjimi kishte qenë pa qëllim, madje i pashmangshëm, prapë se prapë ishte zhgënjim. ‘Besniku’ sidoqoftë nuk e bëri veten, por përkundrazi tregoi miqësi më të ngrohtë, buzëqeshi dhe më hodhi krahun në supin tim ndërsa vazhdonim të ecnim”!.
“Besniku”: Major, ju thashë se nuk dua të bisedoj për të shkuarën. Që ne i humbëm lidhjet, në kohën kur kishim nevojën më të madhe, ishte faji i juaj. Kjo sepse ju bëtë bazën tuaj në Dukat, te Balli Kombëtar, dhe jo te ne ku duhej të kishit qenë që nga fillimi.
Majori Quayle: Unë nuk bëra bazë aty, unë e trashëgova atë bazë. Unë gjithashtu i takoj Ushtrisë Britanike dhe jam nën urdhrat e saj. Ndoshta duhet të kisha qenë te ju!
“Besniku”: Kemi njerëz në Brigadë që kanë bërë më të mirën e tyre në këto luftime … eja me mua nesër dhe unë do tu tregoj që partizanët po vdesin nga pneumonia dhe ne nuk kemi ilaçe për ta. Dhe, si i zuri ata pneumonia? Nga luftimet e zhvilluara në dëborë dhe të fjeturit në dëborë, me javë të tëra, pa pallto, pa batanije. Eja dhe shikoji major. Eja dhe shiko ushqimet që u japim, bukë të zezë të fortë. Do t’ju tregoj partizanë të tjerë që kanë udhëtuar zbathur nëpër male, krejtësisht zbathur. Atyre u kanë ngrirë këmbët dhe ngrirja është kthyer në gangrenë, sepse nuk kemi ilaçe. Eja dhe shihi këmbët e tyre nesër!
Majori Quayle: U ktheva nga kolegu im Davidi dhe i thashë me kujdes: Jam kaq i mërzitur, saqë po të përgjigjem tani, ky takim do të përfundojë në lot. Do të ndaloj së foluri dhe do të numëroj deri në njëzet me mëndje, përpara se të hap gojën përsëri!
Kujtimet dhe dëshmitë e luftëtarit të rezistencës antifashiste të Luftës së Dytë Botërore, të yllit të Holivudit, janë ndoshta unike për zhvillimet në Shqipërinë e okupuar nga forcat gjermane.