Anglezi kaloi 17 vite burg për përdhunim dhe vrasje, por tani një i dyshuar i ri është arrestuar për rastin e njëjtë

 435 total views,  1 views today

Pasi ekipi ligjor i 57-vjeçarit, Andrew Malkinson nxori në dritë prova të reja të ADN-së, ai ka të ngjarë të lejohet të apelojë dënimin e vitit 2004. Malkinson u dënua me burgim të përjetshëm dhe iu refuzua dy herë apeli pasi aplikoi për shqyrtimin e rastit të tij nga Komisioni i Shqyrtimit të Çështjeve Penale (CCRC).

Malkinson u lirua me kusht në vitin 2020 dhe përparimet në metodat shkencore kanë lejuar ekipin e tij ligjor t’i sigurojë Komisionit prova të reja që vënë në pikëpyetje përgjegjësinë e tij.

Prania e ADN-së së panjohur mashkullore u zbulua në mostrat e marra nga viktima dhe veshjet e saja, dhe më pas Komisioni ishte në gjendje të identifikonte të dyshuarin duke kërkuar në bazën e të dhënave kombëtare.

Policia e Manchesterit zbuloi sot se bëhet fjalë për 48-vjeçarin nga Essex, i cili ishte arrestuar muajin e kaluar si i dyshuar për përdhunim dhe u lirua në procedura të rregullta, shkruan independent.

Prandaj komisioni lejoi që çështja t’i referohej Gjykatës së Apelit, ku gjyqtarët do të vendosin nëse do të lejojnë ankimin kundër dënimit.

“Unë jam i pafajshëm. Më në fund kam mundësinë ta provoj këtë falë këmbënguljes së ekipit tim ligjor”, tha Malkinson në një deklaratë të lëshuar nga avokatët e tij.

“Kam vetëm një jetë dhe deri më tani më kanë vjedhur 20 vite. Unë dje mbusha 57 vjet. Edhe sa do të zgjasë?”, pyeti Malkinson.

Ai u dënua për përdhunimin dhe vrasjen e një gruaje 33-vjeçare në Salford në korrik të vitit 2003.

Ndryshe, ekipi ligjor pretendon se vendimi është marrë pavarësisht mungesës së ndonjë prove mjekoligjore që e lidh atë me sulmin dhe pavarësisht mospërputhjeve në rrëfimet e dëshmitarëve okularë.