Apologji për komunitetin dibran në Shkodër

 883 total views,  2 views today

Migrimi i popullsisë nuk është dukuri e panjohur, as e kohës së re. Janë pikërisht qendrat e mëdha të cilat kanë qenë motivuese për qytetarët e ndryshëm, në saje të zhvillimit të përgjithshëm shoqëror dhe ekonomik. Në këtë aspekt, në hapësirën etnogjeografike shqiptare në Veriun shqiptar, Shkodra ishte qytet i veçantë, duke qenë adresë e preferuar për popullsi të ndryshme nga areali shqiptar, por edhe më gjerë.

Kujtojmë me këtë rast vitin 1479, kur qyteti i Shkodrës nga ana e venedikasve iu dorëzua Perandorisë Osmane, me ç’rast qytetin e lëshoi rreth një e treta e popullsisë, duke u vendosur në Venedik e gjetiu. Nga ajo kohë e më pas, në qytetin e Shkodrës janë vendosur popullsi nga rrethina e saj e më gjerë, duke u bërë një dekompozim antropologjik e demografik. Në këtë aspekt, si dëshmi janë rreth 400 patronime të familjeve të sotme shkodrane, të cilat dëshmojnë origjinën e tyre nga vendbanimet e rrethinës apo të zonës së saj gravituese e më gjerë. Në këtë kategori bëjnë pjesë edhe dibranët, të cilët kanë bërë emër kryesisht në fushën e ndërtimit, duke qenë sinonim i kësaj veprimtarie.

Qyteti i shqiptarizmës

Lidhja e dibranëve me shkodranët nuk është e kohës së re, ajo është e hershme, duke filluar nga mesjeta e më pas. Dhe nuk kishte si të ishte ndryshe, sepse Shkodra si qyteti kryesor i Veriut shqiptar ishte qendra e zhvillimit ekonomik e shoqëror, politik e ushtarak. Shkodra ishte qyteti i shqiptarizmës, ku merreshin vendime të mëdha, ku hartoheshin peticionet dhe memorandumet, mblidheshin patriotët e zonave veriore e verilindore. Qëllimet e përbashkëta për çlirim e bashkim kombëtar i forcuan në vazhdimësi lidhjet e tyre.

Kujtojmë me këtë rast ndihmën e dibranëve në mbrojtje të kufijve veriorë në hapësirën etnogjeografike shqiptare në vitet 1879 e 1880 në luftërat për mbrojtjen e Plavës (Nokshiqi), pastaj në Grudë (prill 1880), e përfundimisht në mbrojtje të Ulqinit (nëntor 1880). Ndërsa, në mënyrë veçantë duhet cekur angazhimi i tyre në mbrojtjen e Shkodrës (tetor 1912 – prill 1913) kundër malazezëve e serbëve, duke mbetur shembull i ndihmës vëllazërore për misionin e çlirimit dhe bashkimit kombëtar.

Angazhimi i dibranëve në mbrojtjen e trojeve shqiptare në regjionin e Shkodrës nuk mbeti me kaq, sepse u dëshmuan në mbrojtje të Dibrës në vitin 1912, nga pushtuesit serb. Kemi të bëjmë me kohën e luftërave ballkanike, ku aleanca ortodokse ballkanike si mision kishte pushtimin e territoreve shqiptare. Dhe gjatë kësaj lufte, dibranët, ndonëse treguan heroizëm në mbrojtje të atdheut, përjetuan gjenocid nga pushtuesit serbë dhe nga një gjendje e tillë u detyruan të shpërnguleshin në mjedise të tjera të Shqipërisë, si në Tiranë, Elbasan e gjetiu.

Share
  •  
  •  
  •  
  •  
  •  
  •  
  •  
  •  
  •  
  •  
  •  
  •  
  •  
  •