Kryetari i PD-së Lulzim Basha në një bashkëbisedim sot me gazetarët deklaroi se qeveria nuk ka marrë asnjë masë për të përballuar valën e dytë të pandemisë.
Basha tha se shumica dërrmuese e qytetarëve nuk mund ta përballojnë koston e paketës së trajtimit me paratë e tyre, sepse shkon 600 mijë lekë në muaj, për të mos llogaritur çmimet e tjera që i mbivendosen.
“Kjo situatë nuk është e re, ka 9 muaj, që nga fillimi i pandemisë, që qeveria nuk ka marrë asnjë masë, asnjë plan serioz për t’u përballur, vetëm justifikime, deklarata kundërthënëse të Kryeministrit që i është mbivendosur opinionit të ekspertëve dhe rezultati është se edhe vala e dytë me sa duket ka nisur dhe e gjen kabinetin e tij të papërgatitur për t’iu përgjigjur emergjencës shëndetësore”, tha Basha.
Po ashtu, Basha shtoi se “kam katër javë që kam kërkuar të merren 4 hapa të thjeshtë. Hapi i parë, të çohet numri i testimeve në 2500 testime në ditë. Kjo është e rëndësishme, sepse bën të mundur në mënyrë aktive testimin në kohë të dyshuarve për infeksion, evidentimin e atyre që e kanë marrë virusin. Menjëherë pas kësaj testimin e personave që kanë pasur kontakt me personin infektuar. Izolimin e atyre që janë për t’u izoluar në kushte karantinimi në shtëpi, trajtimin e atyre që kanë nevojë të trajtohen në spital dhe mbylljen e zinxhirit të infeksionit”.
Gjithashtu Basha propozon edhe hapa të tjerë që duhen marrë në këtë situatë të pandemisë.
“Hapi i dytë, është që shqiptarëve të sëmurë me COVID-19, t’u rimbursohet tërësisht paketa e ilaçeve. Shqipëria i ka të gjitha mundësitë që askush të mos e humbasë jetën se nuk arrin dot të blejë një apo disa, apo të gjithë paketën e ilaçeve për t’u trajtuar. Hapi i tretë, që kam katër javë që kërkoj është mobilizimi total i sistemit, për t’u përballur me çdo nivel të trajtimit të sëmurëve. Hapi i katërt është bonusi 1000 € për mjek, 500 € për çdo infermier”, tha Basha.