Begaj: Ka rrezik të eskalimit të situatës në veri të Kosovës – atje ka struktura kriminale që mund të cenojnë sigurinë

 11,058 total views,  1 views today

Presidenti i Shqipërisë, Bajram Begaj, ka thënë se ekziston rreziku i eskalimit të situatës në veri të Kosoës, pasi ka thënë se strukturat kriminale atje mund ta provokojnë këtë.

Begaj në një intervistë për televizionin publik ka thënë se duhet ruajtur qetësia.

“Ka rrezik për eskalimin e situatës në veri të Kosovës. Atje ka struktura kriminale të përkrahura nga elementet shtetërore që mund të cenojnë sigurinë. Ajo që mund të them është që të ruajmë qetësinë dhe të marrim çdo incident me qetësi e ta raportojmë në media, mos ta lëmë Serbinë që të keqinformojë për ngjarje të caktuara”, ka thënë Bega.

Begaj ka thënë se Shqipëria do të qëndrojë në krah të Kosovës me të gjitha mjetet. Mirëpo, ai ka shtuar se dialogu është mënyra e duhur për të arritur paqen e përhershme në rajon.

“Ne jemi në kohën e modernizmit, ku vetëm me dialog mundemi t’i zgjidhim problemet që mund të na dalin. Dhe rruga euroatlantike e Kosovës është e pashmangshme, e patjetërsueshme dhe e duhur, ndaj me ndihmën e SHBA-së, BE-së dhe aleatëve tjerë, dialogu duhet të avancohet tutje”, ka thënë Begaj.

Presidenti i Shqipërisë ka thënë se takimet e kryeministrit të Kosovës, Albin Kurti me Sekretarin e Përgjithshëm të NATO-s, Jens Stoltenberg, të mërkurën, si dhe takimi të enjten me presidentin e Serbisë, Aleksandar Vuçiq në Bruksel në kuadër të dialogut Kosovë – Serbi, janë takime të rëndësisë së veçantë.

“Takimi në NATo është takim i rëndësishëm për të dyja palët, ku do të bëhet e ditur se dhuna nuk do të tolerohet, sepse dhuna sjellë mjerim, varfëri dhe nuk duhet t’i kthehemi reminishencës”, tha Begaj.