Behar Neziri është një futbollist shqiptar prej të cilit pritet shumë në të ardhmen. Paraqitja për gjigantin gjerman, Bayern Munich, e dëshmon këtë. Për më tepër, Bayerni i ka ofruar kontratë të re Nezirit.
Të premten, Behar Neziri, i lindur më 6 janar të vitit 2003, së bashku me tre futbollistë të tjerë të rinj, kanë vazhduar kontratat me Bayernin.
Neziri, Gabriel Marushiq, Grant-Leon Mamedova dhe Gabriel Vidoviq kanë vazhduar kontratat me Bayernin deri në qershor të vitit 2023. Të gjithë këta aktualisht janë lojtarë të grupmoshës U19 të klubit bavarez. Neziri luan në mesfushë.
Për të gjithë te Bayerni presin që të jenë kandidatë seriozë për ekipin e parë në të ardhmen. Firmosja e kontratave të reja shkon në këtë drejtim.
“Te të katërtit shohim potencialin që nëpërmjet ekipit tonë U23 të arrijnë tek ekipi i të rriturve. U urojmë shumë fat në këtë rrugë që kanë nisur. Ne jemi shumë të lumtur që këta katër lojtarë i kanë qëndruar besnikë Bayernit dhe duan ta bëjnë hapin e radhës në kampusin e klubit tonë”, ka thënë Holger Seitz, drejtor sportiv në kampusin e Bayernit.
Neziri, 18-vjeçar, mbulon pozita të ndryshme në mesin e fushës. Ai është nga Kosova. Në vitin 2018 ishte raportuar se ka zgjedhur që të luajë për Kosovën.
Neziri që nga viti 2016 është te Bayerni. Ka kaluar ekipet e grupmoshave të ndryshme, ndërsa tani është tek U19. Për ekipin U17 të Bayernit kishte shënuar dy gola në 27 paraqitje.
Tek U17 i Bayernit aktualisht janë Benjamin Dibrani e Arijon Ibrahimoviq, që është nga Kosova. Erblin Osmani e Nderim Zogaj janë tek U12, kurse Lendi Hoti, Skender Nuraj e Lamar Rama tek U11.
Pjesë e ekipit të dytë të Bayernit llogaritet Leon Dajaku, aktualisht i huazuar tek Union Berlini. Për Bayernin në të kaluarën ka luajtur edhe Xherdan Shaqiri, tani te Liverpooli. Pranë ekipit të parë ishte Meritan Shabani, që tani po luan në Holandë te VVV-Venlo. Ai madje luajti dy ndeshje me ekipin senior. Ylli Sallahi po ashtu kishte luajtur një ndeshje për ekipin e parë të Bayernit. Por, nuk po luan më.