Ish-kryeministri i Britanisë së Madhe, Boris Johnson, u tërhoq nga gara për udhëheqjen e Partisë Konservatore dhe gara për kryeministër, e cila filloi pas dorëheqjes së Liz Truss më 20 tetor.
Johnson në deklaratën me shkrim tha se ishte i befasuar nga numri i njerëzve që sugjeruan se ai duhet të konkurronte sërish për udhëheqjen e partisë gjatë ditëve të fundit.
Duke theksuar se beson se është në një pozicion të mirë që Partia Konservatore të arrijë një fitore në vitin 2024, Johnson deklaroi se ka marrë mbështetjen e 102 deputetëve, e cila është e nevojshme që të kandidojë për kryesinë e partisë.
“Në ditët e fundit kam arritur në përfundimin se për fat të keq kjo nuk është gjëja e duhur për të bërë. Derisa nuk ka një parti të bashkuar në Parlament nuk mund të qeverisni në mënyrë efektive”, theksoi ai.
Ai vuri në dukje se ka biseduar me Rishi Sunak dhe Penny Mordaunt, të cilët zyrtarisht kandiduan për udhëheqjen e partisë, por që nuk kanë arritur sukses.
Edhe pse Johnson nuk e shpalli zyrtarisht kandidaturën e tij pas ndërprerjes së pushimeve në Republikën Dominikane dhe kthimit në Britani, u konsiderua si e sigurt se ish-kryeministri do të merrte pjesë në garën për lidership.
Truss u bë kryeministre e re e Britanisë më 5 shtator pas garës me ish-ministrin e Financave, Rishi Sunak.
Truss, e cila qëndroi në detyrë 44 ditë pas trazirave politike dhe ekonomike në vend, njoftoi dorëheqjen e saj më 20 tetor.