Brenda javës së dytë të marsit përmbyllet vaksinimi i bluzave të bardha

 1,690 total views,  1 views today

Kryeministri Edi Rama deklaroi sot se, shumë shpejt do të fillojë vaksinimi masiv, teksa brenda javës së dytë të marsit do të përmbyllet vaksinimi i të gjithë bluzave të bardha në Shqipëri

Në konferencën e përjavshme për shtyp “Ekonomia në fokus” Rama tha se, ky është një moment kyç në luftën me COVID-19 dhe lidhet pazgjidhshmërisht me vaksinimin.

“Duke parë çfarë po ndodh në disa vende që për arsye të fuqisë së tyre, për arsye të pozicionit të tyre të favorshëm në raport me burimin e furnizimit të vaksinës, dhe kam parasysh Izraelin dhe Britaninë e Madhe, të cilat po fillojnë të shohin me shumë optimizëm daljen nga tuneli, si pasojë e vaksinimit që tanimë në Izrael ka arritur më shumë se gjysmën e popullsisë dhe në Britaninë e Madhe po ashtu ka arritur shifra impresionuese, është shumë e qartë që vaksinimi është një armë e pazëvendësueshme për të thyer zinixhirin e infeksionit dhe për të filluar çlirimin e  vendit, për ta kthyer vendin në një vend pa COVID për popullsinë”, u shpreh Rama.

Rama theksoi se, “është shumë frymëzuese ajo që po ndodh në ato vende, ku Izraeli po shkon drejt hapjes konstante tanimë, si pasojë e thyerjes së zinxhirit, pasi e parapagoi trefish vaksinën nga kompanitë Pfizer dhe Moderna, në procesin e shpikjes gjë që nuk e bëri asnjë vend tjetër, pa pritur të aprovohet edhe të bëhet funksionale. Izraeli vuri një bast shumë të madh dhe sot disponon si asnjë vend tjetër gjithçka që i duhet për të vaksinuar popullin e vet”.

“Dhe Britania e Madhe, e  cila faktikisht është vendi ku edhe lindi njëra nga vaksinat dhe pati avantazhin e një fillimi intensiv të vaksinimit. Dhe sot disponon të gjitha dozat që i duhen për ta përmbyllur vaksinimin. Ndërkohë që dje kryeministri britanik lajmëroi hapjen e stadiumeve në prill me 10 mijë persona dhe hapjen përfundimtare të stadiumeve në qershor, gjë që faktikisht është momenti i triumfit, kur të ndodhë dhe do të ndodhë”, tha Rama.

Për këtë aryse, u shpreh kreu i qeverisë, “unë jam me mish e me shpirt i angazhuar, së bashku me kolegët e mi që sa më shpejt, shumë shpejt të mund të disponojmë një sasi vaksinash që të hyjmë intensivisht në procesin e fazës finale të kësaj lufte për t’u çliruar nga ky makth, nga ky armik, që vazhdon të marrë jetë çdo ditë. Dhe vetëm vaksinimi do ta zbrapsë përfundimisht”.

“Dua që të gjithë të jenë të sigurtë që ashtu sikundër arritëm të sigurojmë kontratën me Pfizer jashtë radhe dhe ndryshe nga shumica dërrmuese e vendeve të rajonit, që ende nuk e kanë një kontratë, ashtu sikundër arritëm të fusim në proces dhe do të arrijmë të përmbyllim brenda javës së dytë të marsit vaksinimin e të gjithë bluzave të bardha në Shqipëri. Ashtu, shumë shpejt do  të fillojmë vaksinimin masiv. Shumë shpejt. Është vetëm çështje kohe e shkurtër, jo e gjatë. Nuk mund të japë më shumë detaje, por jemi shumë afër. Dhe më vjen keq që nuk mund të them fjalën e fundit dhe mezi po pres që ta them fjalën e fundit”, u shpreh Rama.

Share
  •  
  •  
  •  
  •  
  •  
  •  
  •  
  •  
  •  
  •  
  •  
  •  
  •  
  •