I ftuar në RTV Ora, deputeti demokrat Oerd Bylykbashi u shpreh se gjërat në PD kanë shkuar keq sidomos vitin e fundit përmes përballjeve të brendshme
Bylykbashi theksoi se nuk ka kuptim që të behësh autokrat kur humbet zgjedhjet duke thënë se Basha bëhet gjithmonë e më shumë despot dhe merr vendime vetë edhe pse statuti kërkon kolegjialitet.
“Berisha ka thënë më herët që është gati për çdolloj funksioni kushtetues dhe kreu i partisë është pjesë e kësaj. Është tendencë natyrale që të kërkojmë atë gjënë që ta çojmë te personat. Procesi është më i madh. Nëse unë kam bërë hapin publik dhe kemi dalë, sepse kemi kontestuar në përballje të brendshme se gjërat po shkonin keq, sidomos këtë vitin e fundit me një shpejtësi marramendëse drejt autokracisë. Nuk ka kuptim që të behësh autokrat kur humbet zgjedhjet. Zoti Basha bëhet gjithmonë e më shumë despot dhe merr vendime vetë edhe pse statuti kërkon kolegjialitet në vendimmarrje dhe votën e anëtarëve”, tha ai.
Bylykbashi shtoi se Kuvendi i partisë mund të mblidhet kur më shumë se gjysma është e pranishme dhe se nuk pyet për Bashën si kryetar, pasi është institucion mbi të.
“Ai thotë se nuk i lejon anëtarët që të votojnë kur duhet tu bindet organeve drejtuese sipër tij si kuvendi dhe kryesia. Poshtë tyre vjen kryetari i partisë. Basha duhet të rrijë të heshtë dhe të dëgjojë se çfarë thotë dhe vendos anëtarësia dhe të deleguarit. Firmat vijnë nga personat që kanë një tagër, nga ata që janë delegatë të caktuar. Unë e di që është mbledhur më shumë se sa gjysma e firmave të delegatëve. Edhe parlamenti vetëmblidhet, është një procedurë e thjeshtë, edhe kur një kryetar nuk e do. Pasi thirret kuvendi, kërkohet që më shumë se gjysma të jetë prezent. Ky është organi epror më i madh i partisë. Kuvendi shkarkon edhe kryetarin, nuk e pyet do apo nuk do”, tha ai.