Çështja e zyrtarit të FBI, Berisha: Njeriu më i afërt i Putinit del investitor strategjik,  Edi Rama agjent influent i Putin

 4,572 total views,  1 views today

Duke folur në mbledhjen e Grupit Parlamentar, kreu i Partisë Demokratike, Sali Berisha, ka komentuar çështjen e zyrtarit të FBI-së, gjë që sipas tij, dëshmon se mafia shqiptare është më e rrezikshmja në botë.

Ai vijoi më tej duke thënë se, Rama, që është Kryeministri i një vendi anëtar të NATO-s, përdor mjete të paligjshme për të korruptuar zyrtarin e lartë të FBI.

Sipas Berishës, njeriu kryesor i Putin del si investitor strategjik i Ramës dhe ky i fundit është agjent influent i Putin.

Pjesë nga konferenca e kreut të PD-së, Sali Berisha:

Të vijmë pak te Oleg Deripaska, i cili duket se e ka aset McGonigal, se kanë larë paratë së bashku.

Por ky na del në Shqipëri investitor strategjik, ndërtues hidrocentralesh, pronar licencash hidrocentralesh.

Mos të harrojmë se është një nga njerëzit më të afërt të Putinit.

Me të drejtë shtrohet pyetja, si ka mundësi që përdoren paratë për të lobuar kundër opozitës?

Shqiptarët mësuan, e kam deklaruar shumë herë, se është përdorur korrupsioni ndërkombëtar për të luftuar antikorrupsionin në Shqipëri.

Dëgjojeni pak se çfarë thotë ortaku i McGonigal në firmën e përbashkët që kanë ngritur në Tiranë, Mark Rossini. Edhe ky ish-zyrtar i lartë.

Ky në një deklaratë të paguar, në vitin 2019, thotë se Berisha është një kukull e Putinit. Për llogari të Edi Ramës.

Pra, kjo ishte një ofensivë e korruptokracisë kundër opozitës.

Unë i kam ndjekur debatet, analizat për këtë çështje.

Dje, sot dhe gjithnjë do them se Edi Rama në këtë aferë është sjellë absolutisht si agjent i Putinit.

Se përfituesi më i madh nga kjo aferë është Rusia.

Pse them se është sjellë si agjent influent? Unë konstatova se pata reagime nga analistë.

Unë u kërkoj këtyre analistëve që të hapin dhe të lexojnë se çfarë është agjenti influent.

Agjenci influent është person që ka një status, në përkufizimin e fjalorëve politikë, dhe e përdor pozicionin e tij për të influencuar publikun në qëndrime, drejtime dhe politika të caktuar siç i intereson një fuqie tjetër.

Agjentët influentë janë tre kategori.

Agjenti që ka një status dhe ka firmosur dhe atij i vijnë udhëzimet përmes agjentit tjetër. Nuk e di, megjithëse ka shumë gjëra të errëta, qoftë në trashëgimi familjare, qoftë në drurin familjar, nuk e di.

Kategoria e dytë e agjentit influent janë ata që veprojnë me ndërgjegje, pa firmë dhe janë njëlloj me të parët. U them atyre që reaguan se do gjeni prej tyre që kanë shkuar edhe në gijotinë për veprimin e tyre pa firmë, por kanë mbrojtur edhe njëlloj sikur të ishin nazistë apo stalinistë, kauzat e gabuara. Këta quhen agjentë influentë.

Kategoria e tretë e agjentëve influentë janë idiotët e dobishëm. Idioti i dobishëm është spontan, është sporadik. Bën deklarata dhe shfrytëzohet deklarata e tij dhe pastaj është një copë asgjë.

Të më thotë kush se a ka deklaratë më të dobishme për Putinin se deklarata e Edi Ramës: mos i bini në qafë Serbisë, për të respektuar sanksionet? Me fjalë të tjera, lëreni të mbetet prapavijë e Rusisë. Është e qartë si drita e diellit se kujt i intereson kjo deklaratë. Asnjë lider evropian, përveç tij nuk e bën. Këtu Deripaska është strategjik.

Së dyti, kujt i intereson deklarata e Edi Rama në Davos se e ndaluat mallin e pistë rus, dhe morën nga të tjerët, më keq se rusët. Po kush është sot më keq se rusët, që agreson dhe bën kasaphanë në një popull? Kujt i intereson kjo? Pse, nuk e di Europa? Në vend të duartrokitet Gjermania, që e zeroi importin rus, Edi Rama u thotë se e latë mallin e pistë, për të marrë mall më të pistë.

A nuk është kjo një shprehje me kuptim politik totalisht në mbrojtje të Putinit.