Ju pëlqeu apo jo, kanë kaluar tre vjet që kur Britania e Madhe u largua nga Bashkimi Evropian.
Prej asaj kohe, vendin e ka kapluar një pandemi dhe një krizë energjetike, raporton bbc.
Kjo e ka bërë të vështirë për të deshifruar saktësisht se cili ka qenë ndikimi i BREXIT.
Të dhënat e fundit sugjerojnë se Britania ka marrë një goditje në sektorin e ekonomisë.
Tregtia
Ndërsa Mbretëria e Bashkuar u tërhoq nga tregu dhe bashkimi doganor evropian në vitin 2021, kompanitë që tregtonin me shtetet e Bashkimit Evropian u përballën me rregulla të reja, dokumente dhe kontrolle të reja për disa mallra.
Kjo shkaktoi frikë rreth asaj se çfarë do të ndodhte me shkëmbimin tregtar prej 623.35 miliardë eurove midis britanikëve dhe partnerit të saj më të afërt tregtar, BE-së.
Pati një rënie fillestare të eksporteve të Britanisë drejt vendeve të BE-së. Pasi u zgjidhën problemet e reja, vëllimet e tregtisë u rikuperuan në nivelet e para pandemisë, sipas shifrave zyrtare.
Por mund të argumentohet se tregtia mund të ishte rritur më shumë nëse nuk do të ndodhte BREXIT, transmeton Telegrafi.
“Dhoma Britanike e Tregtisë” kreu një sondazh me 500 kompani, ku më shumë se gjysma e tyre deklaruan se ende po luftonin me sistemin e ri.
Burokracia mund të ketë penguar disa eksportues të vegjël.
Një studim i klasifikimeve doganore tregon se është zvogëluar numri i mallrave të ndryshme që eksportojnë britanikët drejt BE-së. Një histori e ngjashme është edhe me importet – vëllimet janë rikuperuar në nivelet e para pandemisë.
Por, profesorët në Shkollën Ekonomike të Londrës theksojnë se çmimet e ushqimeve të importuara nga BE – si domatet ose patatet – u rritën, ndoshta deri në 6 për qind gjatë vitit 2020 dhe 2021. Kjo ishte përpara rritjes së inflacionit.
Nga ana tjetër, kjo ia ka lehtësuar punën prodhuesve vendor, të cilët nuk e kishin e konkurrecën e prodhimeve të huaja; Ekonomistët thonë se mund të kenë pasur një rritje prej 5.6 miliardë eurove.
Shumica e kombeve panë kolaps të tregtisë në kulmin e pandemisë. Që atëherë, pjesa tjetër e vendeve të G7 kanë parë që tregtia, kur krahasohet me madhësinë e ekonomive të tyre, të rikthehet në binarë, e cila gjë nuk ka ndodhur në Mbretërinë e Bashkuar.
Nëse shikoni tregtinë e Mbretërisë së Bashkuar me pjesën tjetër të botës, si dhe atë të BE-së, në përgjithësi ajo ka rënë në krahasim me madhësinë e ekonomisë së Mbretërisë së Bashkuar.
Tregtia nuk është rikthyer pas pandemisë aq shpejt sa ka ndodhur me vendet e tjera të mëdha.
Marrëveshjet tregtare
Po marrëveshjet e reja tregtare? Ato mund të ndihmojnë – por është ende herët.
Në total janë arritur 71 marrëveshje tregtare, që është përparim i shpejtë, por shumica dërrmuese përsërisin marrëveshjet që kishin arritur kur ishin pjesë e BE-së.
Mbretëria e Bashkuar ka nënshkruar marrëveshje të reja me Australinë dhe Zelandën e Re – por ato pritet të japin vetëm një nxitje të vogël në tregti. Madje kjo do të zgjasë disa vite. Plus, ato janë të diskutueshme – disa fermerë në Mbretërinë e Bashkuar kanë frikë se do të humbasin shumë shkaku i këtyre marrëveshjeve me këto dy vende.
Bisedimet janë ende duke u zhvilluar me Indinë dhe anëtarët e një pakti trans-paqësor. Ato po zgjasin më shumë sesa kishin shpresuar ministrat e mëparshëm – por analistët mendojnë se marrja e gjërave më ngadalë mund të dërgojë në marrëveshje më të dobishme.
Marrëveshjet tregtare me disa nga lojtarët më të mëdhenj, si SHBA dhe Kina, mbeten të paarritshme.
Investimet
Sesa shumë do të shpenzojnë bizneset për ndërtimin e fabrikave të reja, trajnimet e punëtorëve, pajisjet dhe teknologjinë e re, ndikohet edhe nga marrëdhënia me Bashkimin Evropian.
Por, investimet kanë ngecur që nga referendumi, pasi bizneset ishin të kujdesshme rreth perspektivës. Investime të mëdha nuk kishte as para vitit 2016, por nëse do të kishte vazhduar prirjen e tij e para referendumit, analiza e ekspertëve të “UK in a Changing Europe” sugjeron se mund të jetë rreth 25 për qind më e lartë sesa është tani.
Ekonomistët argumentojnë këtë hendek. Disa – duke përfshirë Fondin Monetar Ndërkombëtar – kanë sugjeruar se pasiguria rreth BREXIT, duke përfshirë çështjen e pazgjidhur të Protokollit të Irlandës së Veriut, kanë penguar disa investime. Sir Richard Branson është ndër bosët e biznesit që kanë sugjeruar se kostoja e burokracisë së BREXIT do t’i pengonte ata të investonin në Britani të Madhe.
Grupi pro-BREXIT, “Briefings for Business”, pretendon se shifrat nuk janë të sakta dhe se nuk ka prova që BREXIT-i goditi investimet në Britani..
Puna
Largimi nga BE-ja nënkuptonte gjithashtu ndryshime në rregullat për lëvizjen e lirë të fuqisë punëtore dhe futjen e një sistemi imigrimi të bazuar në pikë (viza pune bazuar në karakteristikat dhe kualifikimet e tyre personale). Kjo gjë që ka nxitur shumë ankesa.
Shefi ekzekutiv i zinxhirit të modës Next, Lord Wolfson dhe shefi i Wetherspoons, Tim Martin, të cilët mbështeten BREXIT – kanë bërë thirrje që Mbretëria e Bashkuar të lejojë më shumë punëtorë të huaj.
Një studim i “Centre for European Reform and UK” deklaron se ka 330 mijë punëtorë më pak në Britani si rezultat i BREXIT. Kjo mund të jetë vetëm 1 për qind e fuqisë punëtore totale – por sektorë të tillë si transporti, mikpritja dhe shitja me pakicë janë goditur rëndë shkaku i largimit nga BE-ja.
Mungesa e punëtorëve ka rezultuar me mungesë të stafit. Disa komentues argumentojnë se këto kufizime do t’i bindin bizneset të rrisin aftësitë e stafit dhe të investojnë më shumë në resurse humane.
Ndërkohë, në sektorin e shërbimeve financiare, shtatë mijë vende pune mund të jenë humbur, sipas një raporti të “Dhomës së Komunave”. Kjo është shumë më pak sesa 70 mijë sa ishte vlerësuar fillimisht nga ekspertët britanikë.
Çfarë tjetër?
Mbretëria e Bashkuar është e vetmja ekonomi e madhe që nuk ka pasur rritje para pandemisë dhe BREXIT mund të jetë një faktor.
Në përgjithësi, mbikëqyrësi i pavarur i qeverisë britanike, Zyra për Buxhetin, mendon se Mbretëria e Bashkuar përfundimisht do të jetë 4 për qind më keq sesa do të kishte qenë nëse do të mbetej pjesë e BE-së – megjithëse për shumë votues, BREXIT ishte më shumë për sovranitetin sesa ekonominë.
Por ka ende shumë punë.
Nuk është vetëm protokolli i Irlandës së Veriut, por edhe marrëveshjet e përhershme për industrinë – shërbimet financiare, peshkimi dhe pjesët e automjeteve elektrike – ku duhet të reduktohen burokracitë. /Telegrafi/