Me shumë gjasa qeveria e re italiane pritet të bëjë betimin në ditët e fundit të muajit tetor. Kushtetuta Italiane parashikon qartë një rrugëtim kohor të domosdoshëm deri në marrjen e votëbesimit në Parlamentin e ri.
Gati 10 ditë nga zgjedhjet e parakohshme e nga fitorja e qëndrës së djathtë, në Itali të gjithë janë në pritje të emrave të qeverisë së re që Giorga Meloni, Kryeministrja që duhet të marrë detyrën nga Presidenti i Republikës Sergio Mattarella do të ketë në skuadrën e ekzekutivit të saj.
Por para këtij hapi, Kushtetuta Italiane përcakton nisjen e punës së legjislaturës së re me parlamentarët që fituan votën e italianëve.
Me 13 tetor, do të hapin punimet Dhoma e Senatit dhe Dhoma e Deputetëve, që për herë të parë kanë 345 parlamentarë më pak, numër i reduktuar pas reformës së realizuar gjatë legjislaturës që sapo u mbyll.
Do të jenë 400 deputetë e 200 senatorë, pjesë e këtij Parlamenti të ri, të cilëve u shtohen dhe numri i senatorëve të përhershëm, e që u takon detyra të zgjedhin Kryetarët e dy dhomave.
Më pas së bashku me kryetarët e grupeve të forcave politike do të nisin fazën e konsultimeve deri në votësbesimin e qeverisë së re.
Edhe pse nuk ka ende një datë zyrtare, burimet mediatike që analizojnë afatet legjislative, parashikojnë që rreth datave 17 ose 18 tetor, Presidenti Sergio Matarella të nisë konsultimet me krerët e dy dhomave të Parlamentit e kryetarët e grupeve, e më pas të thërrasë Giorgia Melonin për ta ngarkuar me detyrën e Kryeministres.
Pas pranimit të detyrës, Kryeministrja e re do të prezantojë para kreut të shtetit emrat listën e ministrave që duhet të marrin aprovimin e tij.
E më pas bëhet betimi i qeverisë së re, që në Itali njihet si Ceremonia e Ziles, ku Kryeministri në largim Mario Draghi i dorëzon kreut të ri të Qeverisë këmbanën simbol për nisjen e punës së këtij ekzekutivit.
Më pas qeveria e sapoformuar do të marrë besimin në dy dhomat e Parlamentit me programin e prezantuar nga Kryeministrja e re.
Në historikun e qeverive italiane ka qënë qeveria Conte 1, të cilës i është dashur një kohë rekord plot 88 ditë për formimin e saj e përtej parashikimeve.
Qeveria e re italiane pritet të ketë daljen e saj të parë publike në nivel ndërkombëtar më 15 nëntor në samitin e vendeve të G20 në Indonezi, edhe pse prej ditësh Giorgia Meloni përmes zyrës së saj ka publikuar reagime e komente si lidere e një qeverive në rrugënisje, duke dënuar sjelljen e Rusisë në referendumin e sapokryer apo duke ftuar e përshëndetur një përgjigje bashkuese komunitare europiane mbi krizën energjitike.
Po kush do të jenë ministrat e rinj të kabinetit Meloni?
Tranzitimi nga qeveria e vjetër në qeverinë e re ka nisur e Giorgia Meloni, disa herë gjatë këtyre ditëve ka deklaruar se është në kontakt konstant me përfaqësuesit e ekzekutivit të vjetër e kontakti i saj i parë është Mario Draghi.
Giorgia Meloni, lider i Partisë Fratello D’Italia do të jetë e para kryeministre femër në historikun e qeverive italiane.
Qeveria e re do të jetë e përbërë nga emra të politikës së djathtë italiane, eksponentë të lartë të partive Forza Italia, Fratelli D’Italia, Lidhja, Noi Moderati, dhe pse nuk përjashtohet se në postet me të rëndësishme e delikate të momentit siç është Ministria e Ekonomisë, Giorga Meloni mund të propozojë emrin e një tekniku.
Por kurrësesi, informojnë burimet politike, nuk do të jetë një qeveri teknikësh por një qeveri politike, edhe pse media italiane publikon çdo ditë skenarë të mundshëm pakënaqësish mes aleatëve të djathtë mbi emrat e propozuar për skuadrën e ekzekutivit.
Skenarë që shkojnë dhe përtej me akuzat se “Meloni kërkon të ndërtojë një qeveri draghiane”.
Emra që hyjnë e emra që dalin në listat që qarkullojnë çdo ditë nga portalet mediatike, por që deri në prezantimin zyrtar janë akoma hamendësime.
Për postin e ministrit të Ekonomisë qarkullojnë një listë emrash si ish-kreu i Bankës Italiane Fabioo Panetta, ish-ministri i Ekonomisë në qeverinë Berlusconi 2 e 3, Domenico Siniscalo, ish-ministri i Financave në qeveritë e Berlusconit, Giulio Tremonti, Daniele Franco, ministër aktual në qeverinë Draghi etj.
Për postin e zëvendëskryeministrit emrat më të mundshëm që qarkullojnë janë Matteo Salvini e Antonio Tajani, koordinator i Forza Italia të Silvio Berlusconit.
Një nga eksponentët themelues të Partisë Fratelli D’Italia, Ignazio la Russa, supozohet se është një nga kandidaturat e zgjedhura për postin e ministrit të Mbrojtjes, ndërsa për politikën e jashtme emrat e mundshëm për momentin janë Antonio Tajani i Forza Italia, Giancarlo Giorgetti i Lidhjes, e Giulio Terzi i Fratelli D’Italia.
Një tjetër ministri mjaft e rëndësishme është ajo e Drejtësisë, ku kandidaturat në zgjedhjen e Melonit janë prokurori i Antimafias së Catanzaros, Nicola Gratteri, ish-ministrja në qeverinë Conte 1 Giulia Buongiorno dhe Carlo Nordio, ish-magjistrat e pjesë e Partisë Fratelli D’Italia.
Ndërsa po punon për skuadrën e ministrave të qeverisë së saj, Giorgia Meloni me një notë shtypi ka informuar se “dosjerët më urgjentë të axhendës politike janë çmimi i lartë i energjisë e skadencat e pashmangshme ekonomike.”
“Përballë sfidës epokale të krizës energjitike, duhet një përgjigje e menjëhershme në nivel europian për të mbrojtur familjet e sipërmarrjet. Asnjë shtet anëtar nuk mund të ofrojë zgjidhje afatgjatë i vetëm, prandaj duhet një strategji komune, e me këtë qasje uroj që Këshilli i Europës në Samitin e Energjisë të mbajtur sot, të ketë buon sens e shpjetësi kohore. Mbi këtë temë vitale për Italinë, besoj në kompaktësinë e të gjitha forcave politike”, shprehet ajo.