Gjendet ujë në diskun e një ylli të ri, që është edhe vendi ideal për formimin e planetëve. Zbulimi është realizuar falë teleskopit Alma që është i vetmi instrument në gjendje të ofrojë analiza kaq të detajuara.
Sipas astronomëve sasia e ujit në diskun e brendshëm të yllit, është domethënëse dhe e barabartë me 3 fishin e ujit që ndodhet në gjithë oqeanet e Tokës. Ylli HL Tauri, i ngjashëm me Diellin, ndodhet 450 vite dritë larg nesh në yjësinë e Demit.
Nga të dhënat e teleskopit, në diskun e yllit, uji është në formë avujsh, dhe çlirohet nga grimca pluhurash të mbuluar me akull. Këto grimca, shpjegojnë astronomët, janë farat e planetëve të rinj që do krijohen, pas përplasjeve e bashkimeve të mëtejshme, duke u zmadhuar në trupa gjithnjë e më të mëdhenj.
Këto rezultate, shpjegojnë autorët e studimit, tregojnë sesi prezenca e ujit, në formë të ngrirë, është mekanizëm që influencon krijimin dhe zhvillimin e një sistemi planetar. I njëjti proces thonë astronomët ka ndodhur edhe 4.5 mld vite më parë, kur u krijua sistemi ynë Diellor.