Studentët shqiptarë po largohen drejt universiteteve jashtë vendit me ritme më të shpejta se në çdo vend tjetër të Ballkanit Perëndimor, sipas raportit të UNESCO-s për arsimin, duke reflektuar kombinimin e emigracionit, rënies së popullsisë në moshë shkollore dhe orientimit drejt mundësive ndërkombëtare.
Raporti thekson se Shqipëria ka një përqindje shumë të lartë të studentëve që ndjekin studimet jashtë vendit dhe se kjo prirje është përshpejtuar në vitet e fundit. “Numri i studentëve shqiptarë që studiojnë jashtë është rritur më shpejt se në vendet e tjera të Ballkanit Perëndimor”, theksohet në analizën për vendin.Zhvillimi lidhet ngushtë me dinamikat demografike dhe migratore të vendit. Raporti vëren se rritja e studentëve jashtë vendit ka ecur paralelisht me rënien e numrit të maturantëve në Shqipëri, një trend i lidhur me emigracionin dhe tkurrjen e popullsisë në moshë shkollore.
Sipas analizës, orientimi drejt arsimit të lartë dhe mundësia për të studiuar jashtë janë bërë një nga faktorët kryesorë që kanë shtyrë të rinjtë të qëndrojnë më gjatë në sistemin arsimor. Perspektiva e universitetit, brenda apo jashtë vendit, e kombinuar me emigracionin masiv, ka rritur kërkesën për arsim të mesëm dhe të lartë.


