Duke u përballur me kritika nga grupet për të drejtat e njeriut, presidenti i Federatës së Futbollit të Spanjës mbrojti rikthimin e Superkupës së Spanjës në Arabinë Saudite, ndërsa Real Madridi po përgatitet të luajë me Athletic Bilbaon në finalen e së dielës.
“Amnesty International” u kishte kërkuar katër ekipeve që udhëtuan në miniturneun e Superkupës që të mbanin shirita në krahë për të protestuar kundër shtypjes së të drejtave të grave në Arabi. Asnjë skuadër nuk e bëri këtë në gjysmëfinalet e kësaj jave, kur Reali mundi Barcelonën (3:2) në kohën shtesë dhe Athletic Bilbao tejkaloi Atletico Madridin (2:1).
Presidenti i Federatës spanjolle, Luis Rubiales, këmbënguli se vendimi për të dërguar versionin e ri të Superkupës në Mbretërinë Arabe ishte i mirë edhe për paratë që ia sjell futbollit spanjoll – rreth 30 milionë euro në vit, deri më 2029 – dhe për ato që ai i quajti hapa të vegjël për përkrahjen e grave saudite.
“Ne ishim të parët që firmosëm një kontratë të këtij lloji. Kontrata e bënte të detyrueshme që t’i linim gratë në stadiume dhe ato janë atje. Ne kemi ndihmuar në ndërtimin e një lige futbolli për femra në Arabinë Saudite”, tha Rubiales në një intervistë për radion “Cadena SER”. “Në planin etik ne po bëjmë shumë këtu për të ndihmuar zhvillimin e femrave në futboll, që është angazhimi ynë. Pjesa tjetër e çështjeve politike janë jashtë fushës së futbollit”.
Ndërsa gratë ishin të pranishme në stadiumin “King Fahd” për duelet gjysmëfinale, pjesa dërrmuese e turmës ishin meshkuj.
Prezantuesi i radios “Cadena SER”, Angels Barcelo, emisioni i mëngjesit i të cilit ndiqet nga afro tre milionë dëgjues në Spanjë, i quajti Federatën dhe klubet spanjolle hipokrite.
“Asnjë regjim nuk do të paguante miliona dollarë për dikë që do të vinte për të ndryshuar një regjim që nuk ka plane të ndryshojë vetveten”, tha Barcelo. “Futbolli spanjoll njollos veten me këtë turne, ashtu si edhe skuadrat që marrin pjesë në të. Më pas të gjithë do të kenë më shumë para në bankë, por tani e tutje thjesht mos i lini të na tregojnë për vlerat dhe lojën e ndershme”.
“Amnesty International” beson se përparimi është shumë i vogël në këmbim me ndihmën ndaj regjimit, që lidhet me disa nga klubet më magjepsëse në botë. Organizata për të drejtat e njeriut ka kritikuar abuzimin sistematik dhe diskriminimin e vazhdueshëm të grave.
“Fakti është se federata spanjolle e futbollit ka vendosur të bashkëpunojë në këtë ‘zbardhje’ të imazhit të autoriteteve saudite”, tha Esteban Beltran, president i “Amnesty International” në Spanjë. “Nëse ne kemi parë disa përparime në këta tre vjetët e fundit, si heqja e ndalesës për vozitje dhe shansi i grave për të bërë sport, duke përfshirë themelimin e një lige futbolli për femra, për fat të keq fjalët e presidentit Rubiales në vitin 2019 që Superkupa do të ndihmonte në modernizimin e Arabisë Saudite janë larg të qenit realitet”.
Kur u pyet për qëndrimin e tij për lutjen e organizatës që skuadrat të mbanin shiritat e protestës, Rubiales u ankua se grupi i të drejtave doli publikisht me fushatë përpara se t’i dërgonte federatës një kërkesë me shkrim në një përpjekje për të krijuar bujë. Deri më tani i vetmi lojtar që ka folur kundër zhvillimit të ndeshjeve në Arabinë Saudite është sulmuesi i Bilbaos, Raul Garcia. Por kritikat i ka fokusuar te pamundësia për të luajtur para tifozëve të ekipit të tij. Fitorja e Bilbaos ndaj Atleticos tërhoqi një turmë shumë më të vogël se “El Clasico” midis Realit dhe Barcelonës.
Turneu u luajt për herë të parë në Arabinë Saudite në vitin 2019, pak para se të godiste pandemia. Kufizimet shëndetësore dhe të udhëtimit e detyruan federatën ta kthejë turneun në Spanjë vitin e kaluar me Bilbaon që mundi Real Madridin dhe Barcelonën për të marrë trofeun.
Trajneri i Madridit, Carlo Ancelotti, po kërkon trofeun e parë në periudhën e dytë në krye të klubit spanjoll. Ancelotti do të jetë pa mbrojtësin Dani Carvajal, i cili doli pozitiv për COVID-19, të premten. Sulmuesi Vinicius Junior mund të jetë në dyshim për shkak të një problemi muskulor. Bilbao do të shpresojë përsëri të mbështetet te vëllezërit Inaki dhe Nico Williams në sulm dhe lojën e mirë të Iker Muniainit.
Finalja luhet të dielën nga ora 19:30.