Midis vendeve të BE-së, Greqia, Italia, Spanja dhe Kroacia pritet të regjistrojnë pasojat më të mëdha ekonomike në vitin 2020 me më shumë se 9 për qind humbje të PBB-ve të tyre
Për shkak të pandemisë COVID-19 Bashkimi Evropian ka hyrë në recesionin më të thellë ekonomik në historinë e saj, deklaroi sot komisari i bllokut për Ekonominë, Paolo Gentiloni, raporton Anadolu Agency (AA).
“Koronavirusi shkaktoi një krizë të pashembullt ekonomike”, tha ai.
Gentiloni prezantoi parashikimin ekonomik pranveror të BE-së për vitin 2020, dhe sipas raportit, Prodhimi i Brendshëm Bruto (PBB) pritet të bie me 7.4 për qind në vitin 2020.
“Të dyja, si recesioni ashtu dhe rikuperimi do të jenë të pabarabarta”, theksoi ai.
Inflacioni do të jetë dukshëm më i dobët për shkak të rënies së çmimeve të konsumit ndërsa papunësia pritet të rritet përkundër masave të qeverive, shtoi ai.
Midis vendeve të BE-së, Greqia, Italia, Spanja dhe Kroacia pritet të regjistrojnë pasojat më të mëdha ekonomike në vitin 2020 me më shumë se 9 për qind humbje të PBB-ve të tyre (minus 9.7, minus 9.5, minus 9.4 dhe minus 9.1 për qind).
Ekonomia e Francës do të tkurret me 8.2 për qind ndërsa Gjermania mund të përgatitet për një rënie prej 6.5 për qind.
Por, Komisioni Evropian vlerëson një rikthim ekonomik për bllokun në vitin 2021 me një mesatare prej 6.1 për qind të rritjes së PBB-së.
Shkalla e papunësisë mund të rritet në 9 për qind mesatarisht këtë vit, por kjo shifër përmban dallime të mëdha kombëtare.
Gati një në pesë punëtorë mund të humbasin vendet e tyre të punës në Greqi dhe Spanjë me një normë të pritur 19.9 për qind dhe 18.9 për qind të papunësisë. Në Gjermani ky nivel do të jetë vetëm 4 për qind.
Raporti parashikon një përmirësim shumë të butë për vitin 2021 me 7.9 për qind të shkallës së papunësisë në mbarë BE-në, duke ruajtur raportin në afër 17 për qind në Greqi dhe Spanjë.
Çmimet e konsumatorit pritet të rriten me 0.6 për qind këtë vit dhe 1.3 për qind vitin e ardhshëm.
Humbja ekonomike e Turqisë do të jetë më e ulët se mesatarja e BE-së, sipas parashikimeve pranverore.
PBB-ja supozohet të tkurret me 5.4 për qind në vitin 2020 dhe të rritet 4.4 për qind vitin e ardhshëm.
Pas shfaqjes në Kinë dhjetorin e kaluar, COVID-19 është përhapur në të gjithë botën. Evropa dhe SHBA aktualisht janë rajonet më të goditura.
Pandemia ka marrë mbi 257.300 jetë në të gjithë botën ndërsa numri i të prekurve ka shkuar mbi 3.66 milionë, me 1.2 milionë të shëruar, tregojnë shifrat e përpiluara nga Universiteti “Johns Hopkins” në SHBA.