Sekretari britanik i Shëndetësisë, Sajid Javid paralajmëroi se rreziku nga COVID-19 nuk ka kaluar dhe se në muajt e dimrit numri i të infektuarve në ditë mund të arrijë deri në 100 mijë
Sekretari i Shëndetësisë i Britanisë së Madhe, Sajid Javid paralajmëroi se rreziku i pandemisë së COVID-19 nuk ka kaluar dhe se numri i të infektuarve mund të arrijë në 100 mijë në ditë në muajt e dimrit.
Në një konferencë për media, Javid foli për rëndësinë e programeve të vaksinimit dhe masat që duhen marrë për të luftuar numrin në rritje të personave të infektuar.
Ai shtoi se muajt e dimrit ofrojnë kushte të favorshme për përhapjen jo vetëm të COVID-19, por edhe të viruseve sezonale.
“Ne gjithmonë e dinim se muajt e dimrit përbënin kërcënimin më të madh në rrugën drejt rimëkëmbjes”, tha Javid.
Ai shtoi se mesatarisht ka rreth 1.000 të shtruar në spital në ditë, por gjithashtu paralajmëroi se në muajt e dimrit mund të ketë deri në 100 mijë njerëz të infektuar në ditë.
“Kjo pandemi nuk ka kaluar. Ne të gjithë duhet të rikujtojmë se ky virus do të jetë me ne për një kohë të gjatë dhe do të vazhdojë të jetë një kërcënim. Për momentin nuk do ta zbatojmë planin ‘B’, por do të jemi të kujdesshëm”, tha Javid.
Sekretari britanik tha se masat emergjente janë gati, nëse është e nevojshme, por se ende nuk është arritur në këtë pikë.
Ai vuri në dukje se Sistemi Kombëtar i Shëndetit (NHS) është dërmuar për shkak të pandemisë së COVID-19. Më tej shtoi se me ardhjen e muajve të dimrit, do të intensifikojë programin e vaksinimit.
“Prandaj ne do të bëjmë gjithçka që mundemi për të mbrojtur avantazhin e programit të vaksinimit, e cila është vija jonë e parë e mbrojtjes”, tha Javid.
Ai gjithashtu foli edhe për mutacionin e COVID-19 AY4.2. duke shtuar se ende nuk ka asnjë arsye për të besuar se ky variant paraqet një rrezik më të madh.
Në Britani të Madhe, dje janë konfirmuar 43.738 raste me COVID-19 dhe për të shtatën ditë radhazi janë regjistruar më shumë se 40 mijë persona të infektuar gjatë ditës. Numri i të shtruarve në spital në baza javore u rrit me 10 për qind, në 7.749.
Vendi ka regjistruar 223 vdekje të reja, më së shumti që nga marsi.