Muriqi vendimtar në fitoren e Mallorcas

 231 total views,  2 views today

Sulmuesi Vedat Muriqi ka luajtur edhe një ndeshje të madhe në La Liga. Ai ka regjistruar dy asistime për ta ndihmuar fitoren e Mallorcas ndaj Athletic Bilbaos. Të hënën mbrëma në kuadër të xhiros së 24-t të kampionatit spanjoll, Mallorca fitoi 3:2.

Salva Sevilla realizoi penallti për rezultatin 1:0 në të mirë të Mallorcas. Ai shënoi në minutën e 22-të. Sulmuesi kosovar, Muriqi, asistoi në minutën e 30-të për Angel Rodriguez që shënoi për 2:0. Muriqi pasoi me kokë. Bilbao shënoi dy gola të shpejtë në pjesën e dytë për të barazuar shifrat në 2:2. Në minutën e 59-të shënoi Raul Garcia, ndërsa vetëm dy minuta më vonë realizator ishte Alex Berenguer. Megjithatë vendasit nuk u ndalën.

Në minutën e 88-të, topi në zonë erdhi te Muriqi. Ai e shtyu para, por e la për japonezin Takefusa Kubo. Kubo goditi dhe topi përfundoi në rrjetë. Goli nga disa faqe të internetit i është evidentuar Kubos e disa portierit Unai Simon si autogol. Mallorca ia ka evidentuar golin japonezit. Për Muriqin ishte ndeshja e dytë në La Liga. Në të parën kishte shënuar gol. Muriqi pati një goditje të saktë të hënën mbrëma, por që u ndal nga portieri. Mallorca ka fituar pikë të rëndësishme në garën për ekzistencë. I ka 26 pikë nga 23 ndeshje. Bilbao është e teta me 34 pikë nga 24 ndeshje.