Albania
Hapësira ajrore e Shqipërisë jashtë kontrollit, Qeveria e cilëson tentim grusht shteti
Hapësira ajrore e Republikës së Shqipërisë që nga mëngjesi i së mërkurës është jashtë kontrollit. Për pasojë janë pezulluar të gjitha fluturimet në Aeroportin Ndërkombëtar të Rinasit, i vetmi në Shqipëri. Gjashtëdhjetë kontrollorë të trafikut ajror të “Albcontrol” kanë firmosur deklaratën e paaftësisë së përkohshme për shkak, sipas tyre, të stresit të vazhdueshëm dhe uljes së pagave prej datës 24 prill 2020. Ky vendim ka sjellë dhe bllokimin e punës dhe pezullimin e të gjitha fluturimeve në Aeroportin e Rinasit.
Ministrja e Infrastrukturës, Belinda Balluku, e ka cilësuar këtë veprim si grusht shtet, ku, sipas saj, janë të përfshirë ish-kryeministri Sali Berisha dhe presidenti Ilir Meta. Në një konferencë për shtyp nga aeroporti i Rinasit, Balluku shpjegoi se ulja e pagave të këtyre punonjësve ka ardhur si pasojë e rënies së trafikut ajror për shkak të pandemisë së COVID-19, ndërkohë që shteti nuk mund të kompensojë të ardhurat e munguara, pasi, deri më tani nuk ka pasur asnjë implikim financiar në këtë drejtim të trafikut ajror.
“Do të doja të dija nga zoti Meta a mendon se do të duhej të bllokohej ardhja e vaksinave? A mundet shteti të kapet peng nga një grup njerëzish që të kërkojnë të marrin 15 rroga sa ç’merr një shqiptar? 4 mijë e 400 dollarë, për një person, do të ishin njësoj sa 14 shqiptarë. Dikush mbrëmë gjatë negociatave kishte thënë: po, 60 veta jemi ne, nuk u bë nami. Jo, ju doni pagën sa 600 shqiptarë. A duhet vallë vendi të kapet peng. Ky është grusht shteti nga disa persona që janë të pakënaqur me pagën 2 mijë e 490 dollarë. Dhe nëse nuk ia bëjnë 4 mijë e 400 dollarë mbajnë vendin peng. Nuk erdha në Rinas për të dëgjuar kërkesën që nuk bëhet fjalë ose të iki dhe të bjerë vendimi i këshillit mbikëqyrës e na jepni paratë. Erdha për t’i sqaruar se nuk është një lojë. Sot preken çdo qytetar i Shqipërisë, siguria kombëtare dhe e drejta për lëvizjen e lirë të çdo qytetari. Nuk është lojë”, ka deklaruar ministrja Balluku.
Ajo ka premtuar masa ligjore e që, sipas saj, nuk do të jenë të mira për askënd, por s’do jenë të mira as për navigimin ajror.
“Është sektor shumë i rëndësishëm, janë investuar ndër vite shumë në burimet njerëzore. Të gjithë ata kontrollorë janë të trajnuar në akademitë më të mira, për të pasur certifikatën e duhur. Janë personat më të paguar në Shqipëri”, ka theksuar Balluku.
Ministrja e Transportit, Belinda Balluku tha, se Aeroporti është marrë peng dhe se çështja po përdoret politikisht.
“Unë e kuptoj Sali Berishën, sepse e gjitha kjo është një organizim i mirëfilltë politik, në një moment fushate. Për shkak të fushatës elektorale dhe për shkak të të gjitha skemave politike që po aplikohen, sot në Aeroportin e Rinasit nuk do të vijnë dot vaksina, që do të vinin sot pasdite. Sot në Aeroportin e Rinasit, për shkak të kësaj fushate, brenda fushatës elektorale për të nxirë faqen e Shqipërisë, për të prishur imazhin, po ndodh dhe diçka tjetër, po afektohet e gjithë shoqëria”, ka shtuar Balluku.
Ajo ka treguar se fluturimet janë bllokuar prej disa orësh, por thotë se ka një plan për rihapje.
Kryeministri Edi Rama shprehet se presidenti Ilir Meta është nxitës i goditjes së çmendur, duke shtuar se nuk do t’ia dalin. Sipas Ramës, grupi i nxitur prej tij dhe Sali Berishës kanë kryer aktin e rëndë të bllokimit të aktivitetit të aeroportit “Nënë Tereza”.
“Sabotimi i rëndë i aktivitetit të aeroportit ‘Nënë Tereza’ nuk do të tolerohet! Frymëzuesit e kësaj lëvizjeje të çartur çartiste, Saliu, që gjuan me gurë digjitalë dhe Iliri, që hedh gurin e markës “Leshko” dhe fsheh dorën, duan mbylljen e aeroportit për të mos ardhur vaksinat! Organizatorët do të kallëzohen penalisht dhe do të përballen me ligjin, që ndalon rreptësishtë ndërprerjen e aktivitetit të kullës nga ana e kontrollorëve! Të tjerët duhet të vendosin menjëherë: O me shtetin në punë, o me antishtetin në një proces penal për cenim të sigurisë kombëtare”, ka deklaruar Edi Rama pas bllokimit të fluturimeve në Rinas.
Presidenti Ilir Meta reagoi pas pezullimit të fluturimeve në Aeroportin e Rinasit, për shkak të bllokimit të punës nga kontrollorët, raporton Koha. Kreu i Shtetit thekson se ndërprerja e punës për monitorimin dhe kontrollin e Trafikut Ajror nga kontrollorët e “Albcontrol” nuk është zgjidhje pasi, sipas tij, siguria e hapësirës ajrore në Republikën e Shqipërisë, është çështje e sigurisë kombëtare.
“Kontrollorët duhet të qëndrojnë në detyrë pa asnjë ndërprerje dhe të përmbushin misionin e tyre për të garantuar funksionimin e përshtatshëm dhe pa asnjë problematikë të kontrollit të trafikut ajror shqiptar”, ka thënë Meta. “Republika e Shqipërisë, si vend anëtar i NATO-s, ka përgjegjësinë dhe detyrimin që të garantojë, që hapësira ajrore e saj të konsiderohet në çdo kohë e sigurt për fluturimet ajrore. Nuk duhet të lejohet asnjë rrezik për cenimin e sigurisë dhe mirëqarkullimit të hapësirës ajrore në Republikën e Shqipërisë, sidomos në kushtet kur për pak ditë në Shqipëri do të nisë përgatitja dhe zhvillimi i stërvitjes së përbashkët të forcave të vendeve anëtare të Organizatës së Traktatit të Atlantikut të Veriut dhe të vendeve partnere të kësaj organizate “Defender Europe 21”, nga ku pritet që trafiku ajror në vendin tonë të rritet ndjeshëm, si në fluturimet ushtarake, edhe në ato civile.
Pas deklarimit të kreut të shtetit ka reaguar serish kryeministri. Rama thotë se Meta bën predikime, teksa është një nga dy nxitësit e kësaj goditjeje të çmendur bashkë me Sali Berishën. Ai thotë se Meta është në kërkim të palodhur të rrëzimit të qeverisë e shtetit, por duhet t’i harrojë të dyja këto.
Kontrollorët e “Albcontrol” kanë reaguar përmes avokatit të tyre për pezullimin e fluturimeve në Aeroportin e Rinasit, pas ndërprerjes së punës nga ana e tyre. Avokati Rezart Kthupi tha se kontrollorët nuk e kanë braktisur vendin e punës, por nuk ushtrojnë detyrën. Sipas tij, ulje e pagës së kontrollorëve nuk është arsyeja e vetme dhe kryesore e ndërprerjes së punës, pasi kryesore është ndryshimi i procedurave operacionale.
Policia dhe ushtria zbarkojnë në Rinas
Pas grevës së punonjësve të kompanisë “Albcontrol”, që solli pezullimin e fluturimeve, Forcat e Ndërhyrjes së Shpejtë dhe Forca të Ushtrisë kanë zbarkuar në aeroportin e vetëm ndërkombëtar të Shqipërisë. Policia e Shtetit ka dërguar në Aeroportin e Rinasit dy grupe të FNSH-së, ndërsa në patrullim është dhe policia ushtarake. Prezenca e policisë dhe ushtrisë bëhet për efekt sigurie, pasi “Albcontrol” është institucion i sigurisë së lartë. Hapësira ajrore e Shqipërisë në këtë moment është e pakontrolluar për shkak të mungesës në punë të kontrollorëve.
Sindikata e Kontrollorëve të Trafikut Ajror të Kosovës (SINKON) kërkon nga Qeveria e Shqipërisë që të ulet në dialog me kontrollorët jo duke i etiketuar si vegla politike apo “armiq të popullit”. SINKON është solidarizuar me kontrollorët e “Albcontrol”, ndërsa thekson se ata janë profesionistë të shquar me të cilët kanë bashkëpunuar në mbi një dekadë.
Albania
Shi dhe borë në Alpe, parashikimi i motit për ditën e sotme
Ditën e sotme vendi ynë pritet të ndikohet nga kushte të paqëndrueshme atmosferike. Moti parashikohet i vranët në pjesën më të madhe të territorit.
Vranësirat do të shoqërohen me reshje shiu me intensitet kryesisht të ulët dhe lokalisht deri mesatar.
Në zonën e veriperëndimit dhe jugperëndim reshjet parashikohen me intensitet mesatar deri të lartë në formën e shtrëngatave shoqëruar me shkarkesa elektrike.
Ndërsa në relievet e larta malore në zonën e Alpeve reshje bore me intensitet të ulët.
Temperatura minimale do të shënohet në Korcë, 10 gradë celcius, ndërsa maksinalja në Berat, 18 gradë celcius.
Era do të fryjë me drejtim nga kuadrati i jugut me shpejtësi 12m/s, ndërsa në zonat luginore dhe bregdet, era pritet të arrijë deri në 24m/s.
Valëzimi në det do të jetë i forcës 5-6 ballë.
Albania
“Shqipëria Bëhet” proteston sot para kryeministrisë, policia njofton rrugët që do të bllokohen
Policia e Tiranës njofton se ka marrë të gjitha masat e nevojshme për garantimin e rendit publik dhe mbarëvajtjen e tubimit që do të zhvillohet ditën e sotme, në orën 12:00 nga Lëvizja “Shqipëria Bëhet.”
Sipas njoftimit, do të ketë kufizime të lëvizjes së automjeteve në disa akse rrugore të kryeqytetit. Konkretisht, nga ora 11:00 dhe deri në përfundim të tubimit, do të ketë bllokime të pjesshme të qarkullimit në Bulevardin “Dëshmorët e Kombit”, në segmentin nga Ura e Dajtit deri te kryqëzimi me rrugën “Ismail Qemali”.
Policia bën me dije se, në varësi të zhvillimit të tubimit, mund të ketë kufizime të përkohshme të qarkullimit edhe në rrugë të tjera.
Policia e Tiranës u bën apel qytetarëve të shmangin lëvizjen me automjete në akset që do të bllokohen dhe të përdorin rrugë alternative, për të shmangur vonesat në qarkullim dhe për të garantuar lëvizjen e lirë të pjesëmarrësve në tubim.
Njoftimi i Lëvizja “Shqipëria Bëhet” lidhur me protestën
Përshëndetje.
Nesër, e diel-ORA 12:00, protestojmë kundër Edi Ramës dhe qeverisjes së tij sepse:
1. Mbron publikisht Belinda Ballukun, pavarësisht fakteve dhe hetimeve për abuzime të rënda dhe keqpërdorim të fondeve publike.
2. Drejton një sistem të korruptuar, ku vjedhjet dhe skandalet dalin kudo ku ka hetime.
3. Ka lënë shqiptarët pa ilaçe jetike, duke e kthyer shëndetësinë në privilegj për ata që paguajnë.
4. Ka varfëruar pensionistët dhe i ka lënë me pensione që nuk mbulojnë as nevojat bazë.
5. Ka shkatërruar arsimin dhe të ardhmen e të rinjve, duke i detyruar të largohen nga vendi.
6. Ka rritur koston e jetesës, ndërsa pagat mbeten minimale.
7. Ka kapur institucionet dhe ka shkatërruar besimin te zgjedhjet e lira dhe demokracia.
KËRKOJMË:
– Dorëheqjen e menjëhershme të Edi Ramës;
– Një qeveri tranzitore me profesionistë të pavarur;
– Mandat 12-mujor për përgatitjen e zgjedhjeve të lira dhe demokratike.
Albania
Shqiptarët vishen bukur e me stil, por me marka të lira
Sektori i veshjeve në Shqipëri po përjeton ndryshime të rëndësishme, të nxitura jo vetëm nga tendencat e modës, por edhe nga zhvillimi i turizmit. Konsumatorët shqiptarë kërkojnë cilësi dhe stil duke zgjedhur markat e modës me çmime të përballueshme, ndërsa dyqanet tradicionale pohojnë se kanë rënie të shitjeve deri në 40% nga konkurrenca e lartë e qendrave tregtare dhe shitjeve online. Deri tani, qendrat tregtare kanë marrë 50% të tregut të dyqaneve në rrugët tregtare nga kërkesa e lartë për veshje të modës me çmime të lira
Shqiptarët vazhdojnë të vishen bukur dhe me stil duke zgjedhur kryesisht marka të modës me çmime të përballueshme, të cilat gjenden zakonisht në qendrat tregtare.
Blerjet e veshjeve në dyqanet e rrugëve tregtare rezultojnë se kanë humbur popullaritetin e dikurshëm. Në vitin 2024, sipas të dhënave të Doganave, në total u importuan rreth 650 tonë veshje. Krahasuar me periudhën paraardhëse, sasia e importeve ra me 3,3%.
Tendenca rënëse ka vijuar edhe gjatë 2025-s. Në periudhën janar-gusht, sasia e importit arriti 338,3 tonë. Në raport me të njëjtën periudhë të 2024-s, importet ranë me 4%. Për 2024, tregu i veshjeve gjeneroi importe me vlerë rreth 16 milionë euro, apo 10% më pak se në vitin 2023.
(Të dhënat e Doganave për veshjet janë të kufizuara në katër grup-kapituj që përfshijnë veshje për burra dhe gra, si: xhupa, xhaketa, pallto, veshmbathje, robdishamër etj.)
Në 5 vitet e fundit, sasia më e ulët e importeve ishte në 2020. Operatorët e tregut pohojnë se rënia u ndikua nga kufizimet ekonomike të pandemisë së Covid-19.
Në vitin 2021, pati rritje mbi 60%, që tregon rikthim të kërkesës. Pas kësaj, në 2022, importet ranë ndjeshëm me rreth 17%, për shkak të pasojave ekonomike globale si rritja e inflacionit dhe kostot e transportit.
Në vitin 2023, tregu u përmirësua dhe importet u rritën përsëri 13%, duke treguar rikuperim të qëndrueshëm.
Sipas operatorëve kryesorë të tregut të markave të modës me çmime të lira, kërkesa është në rritje, ndërsa kategoria që shpenzon më shumë për veshje mbeten gratë duke përfshirë edhe blerjet për fëmijë.
Në të njëjtën kohë, vihet re rënie e kërkesës në dyqanet e vogla, të cilat po përballen me konkurrencë të shtuar nga rrjetet më të mëdha tregtare.
Linda, drejtuese e një dyqani veshjesh për gra në rrugën “Bardhyl”, e pranishme në treg prej vitit 1995 me veshje të modës me origjinë importi nga Turqia, pohon se në tërësi, qendrat tregtare kanë marrë 50% të tregut.
Ajo pohon se aktualisht, kërkesa, e përqendruar kryesisht te klientela besnike, është tkurrur me 30 deri në 40% krahasuar me vjet. Përveç konkurrencës së qendrave tregtare, faktorë pengues të rënies së shitjeve janë edhe emigracioni, rritja e çmimeve dhe rënia e fuqisë blerëse.
Stela Dhami, partnere drejtuese e “Colliers International” për Shqipërinë dhe Kosovën, njëkohësisht dhe analizuese e tregut retail, shpjegon se rënia e importeve nuk tregon tkurrje të tregut të veshjeve në tërësi, por shpërndarje gjithnjë e më shumë të kërkesës përmes strukturave më të mëdha dhe jo më përmes dyqaneve tradicionale.
“Zinxhirët kryesorë tregtarë të markave të veshjeve të gjithë raportojnë rritje në shitje, që do të thotë se konsumatori shqiptar në masë është i orientuar drejt produktit të pozicionuar me raport të drejtë çmim e cilësi.
Këto marka vazhdojnë të udhëheqin në tregje globale me këtë politikë të drejtë komerciale çmimesh.
Pra ka një zhvendosje të dukshme nga dyqanet e vogla drejt qendrave tregtare dhe shitjeve online. Qendrat ofrojnë më shumë komoditet, marka dhe oferta, ndërsa dyqanet e vogla po përballen me konkurrencë të fortë, kosto të larta dhe rënie të klientëve.
Pra kur një retail shqiptar blen veshje në Turqi dhe më pas i shet në tregun vendas me trefishin e çmimit, është e kuptueshme pse konsumatori heziton të blejë.
Sot, blerësi shqiptar është më i informuar, krahason çmimet online dhe ka më shumë alternativa, përfshirë porositë direkte nga jashtë apo blerjet në outlet-e”.
Moda dhe prakticiteti, preferencat e konsumatorëve shqiptarë në tregun e veshjeve
Sipas operatorëve të tregtimit të veshjeve, stili casual, komod dhe sportiv mbetet ndër më të kërkuarit nga konsumatori vendas duke ofruar prakticitet dhe rehati në jetën e përditshme.
Disa vite më parë, në Tiranë u hap për herë të parë dyqani i veshjeve të markës H&M, të dizenjuara nga kompania e modës suedeze me filiale në shumë shtete të botës, e vlerësuar një nga prodhuesit e veshjeve të modës me çmime të lira.
“Monitor” kontaktoi përfaqësues të stafit të H&M, të cilët pohuan se konsumatori vendas ka më shumë interes për blerje veshjesh të brendshme dhe praktike.
“Në dyqanin tonë në Tiranë, konsumatorët shqiptarë tregojnë interes të lartë për veshjet bazë si çorape, të brendshme, bluza, pantallona dhe hoodies pa logo, produkte të thjeshta, praktike dhe të përdorshme çdo ditë”.
Sipas tyre, shitjet ndryshojnë në varësi të sezonit. “Gjatë vjeshtës dhe dimrit vihet re rritje e kërkesës për veshjet e fëmijëve, për shkak të fillimit të shkollës, si dhe për segmentin e femrave, me nisjen e vitit universitar.
Përveç produkteve bazë, një përqindje e konsiderueshme përbëhet edhe nga artikuj fashion”.
Veshjet e markës “Waikiki” vijojnë të mbeten gjithashtu të kërkuara në vend. Mehmet Memo, menaxher për Shqipërinë i kompanisë “LC WAIKIKI Retail AL Sh.p.k”, pohoi se kërkesa për veshjet në dyqanet e “Waikiki Albania” ka shënuar rritje të lehtë në 2025-n, krahasuar me një vit më parë.
Përveç përmirësimit të ekonomisë dhe turizmit, faktorë të tjerë ndikues pozitiv vlerësohen shtimi i koleksioneve të reja dhe ofertat speciale gjatë vitit, të cilat kanë tërhequr një numër të madh konsumatorësh.
“Aktualisht, artikujt më të kërkuar përfshijnë veshjet e verës si fustanet, këmishët dhe pantallonat e shkurtra.
Të rinjtë dhe gratë janë grupet që blejnë më shumë, por edhe familjet po tregojnë një interes të shtuar. Veshjet për fëmijë dhe aksesorët gjithashtu janë shumë të kërkuara duke reflektuar një trend të përgjithshëm të rritjes së konsumit familjar”.
Ai thekson se konsumatorët shqiptarë po preferojnë trende të modës me ngjyra të gjalla dhe dizajne të rehatshme.
“Veshjet casual dhe sportive janë gjithashtu shumë të kërkuara. Kemi vërejtur një interes të shtuar për veshjet e qëndrueshme dhe ekologjike, si dhe për aksesorët që plotësojnë pamjen e përgjithshme.
Konsumatorët po kërkojnë gjithnjë e më shumë veshje që janë të përshtatshme për aktivitete të ndryshme duke përfshirë punën, argëtimin dhe aktivitetet sportive”.
“Sport Vision Group” vijon të shënojë ecuri të qëndrueshme dhe pozitive në tregun shqiptar, duke konsoliduar pozicionin si lider në segmentin e artikujve sportivë.
Semi Gjyli, menaxhere ekzekutive e kompanisë, tha se ky është rezultat i angazhimit të vazhdueshëm për të qenë pranë konsumatorëve me produkte cilësore, inovative dhe në përputhje me trendet globale.
“Sport Vision Group” është përfaqësues zyrtar në Shqipëri i markës ndërkombëtare “Nike”. Në portofolin e saj përfshihen edhe marka të njohura, si: “The North Face”, “New Balance”, “On Cloud”, “Hoka”, “Asics”, “Champion”, si dhe zotëron të drejtën e shitjes me pakicë për markën “Adidas”.
Këto marka shpërndahen përmes katër koncepteve të konsoliduara: Nike Shop, Sport Vision, Buzz Sneakers Station dhe Sport Reality, përfshirë edhe formatin Nike Outlet dhe Sport Vision Outlet.
Zonja Gjyli thekson se kjo shumëllojshmëri markash dhe formatesh pritet të ndikojë ndjeshëm në rritjen e kërkesës.
“Investimet strategjike në teknologji, përmirësimi i përvojës së konsumatorit dhe rritja e efikasitetit operacional kanë qenë në fokus edhe në gjysmën e parë të 2025-s, duke konfirmuar një trend rritës dhe një aftësi të qartë për t’u përshtatur me dinamikën e tregut”.
Ajo shton se edhe rritja e ndërgjegjësimit për rëndësinë e aktivitetit fizik ka ndikuar ndjeshëm në ecurinë e kërkesës së artikujve sportivë në Shqipëri.
“Rritja e ndërgjegjësimit të konsumatorëve për rëndësinë e një jete aktive dhe sportive nuk përbën vetëm një tendencë globale, por edhe një pasqyrim të drejtpërdrejtë të qasjes proaktive që ‘Sport Vision’ ka ndjekur në tregun vendas.
Nëpërmjet një strategjie marketingu krijuese, fushatave të vazhdueshme dhe bashkëpunimeve të ngushta me komunitetin, kompania ka arritur të ndërtojë një lidhje autentike mes stilit të jetesës së shëndetshme dhe veshjes sportive si simbol i energjisë, stilit personal dhe vetëbesimit.
Ky vizion ka pasur ndikim të dukshëm veçanërisht te të rinjtë, të cilët priren gjithnjë e më shumë të investojnë në atlete dhe veshje sportive që i shërbejnë jo vetëm aktivitetit fizik, por edhe përditshmërisë urbane.
Nga ana tjetër, rritja e ndjeshme e turizmit ka sjellë edhe ndikim pozitiv në kërkesën për produkte të përshtatshme për udhëtime dhe aktivitete në natyrë.
Në këtë mënyrë, ‘Sport Vision Group’ jo vetëm që ka ndjekur me kujdes ndryshimet në sjelljen e konsumatorëve, por është shndërruar vetë në një katalizator të këtyre ndryshimeve duke ndikuar drejtpërdrejt në zhvillimin, zgjerimin dhe diversifikimin e tregut të artikujve sportivë në Shqipëri”.
Kompania “Koan”, nën drejtimin e administratorit Ardian Davidhi, operon në tregun shqiptar si një markë e specializuar në veshje për gjueti dhe ngjitje në mal. Sipas tij, artikujt më të kërkuar aktualisht janë veshjet për hiking, të cilat po pëlqehen gjithnjë e më shumë nga të rinjtë.
Tendenca është në rritje edhe mes turistëve, të cilët tregojnë interes të veçantë për veshje funksionale gjatë eksplorimeve në destinacionet malore më të njohura të vendit, si Thethi dhe Valbona.
Zoti Davidhi pohon se kërkesa në rritje reflekton jo vetëm zhvillimin e turizmit aktiv, por edhe ndërgjegjësimin më të madh për cilësinë dhe funksionalitetin e veshjeve në natyrë.
Si kanë ndryshuar çmimet e veshjeve?
Çmimet e veshjeve kanë shënuar rritje të lehtë gjatë vitit 2025, të ndikuara kryesisht nga inflacioni. Për të përballuar këtë situatë dhe për të ruajtur interesin e konsumatorëve, kompania ka ndërmarrë një sërë masash lehtësuese me oferta dhe zbritje të posaçme.
“Çmimet e veshjeve kanë shënuar rritje të lehtë krahasuar me 2024-n, kryesisht për shkak të inflacionit. Kjo ka ndikuar në mënyrën si blejnë njerëzit, duke i bërë ata më të kujdesshëm në zgjedhjet e tyre.
Megjithatë, ne kemi ofruar një sërë zbritjesh dhe ofertash speciale për të ndihmuar konsumatorët të përballojnë këto ndryshime dhe të vazhdojnë të blejnë produktet tona”, nënvizon Mehmet Memo nga “Waikiki Albania”.
Tendenca e kërkesës së turistëve
Rritja e turizmit, sidomos në zonat bregdetare dhe malore, ka ndikuar pozitivisht në kërkesën për veshje të përshtatshme për aktivitetet turistike dhe stilin e përditshëm të jetesës.
Në këtë kuadër, sektori vazhdon të përshtatet dhe të zhvillohet duke reflektuar një konsum më të ndërgjegjshëm dhe kërkesa të ndryshuara nga klientela lokale dhe turistët e huaj.
Nëse viziton dyqanet e qendrave tregtare në qendër të Tiranës, përballesh me turistë të huaj veçanërisht nga Italia, që blejnë veshje përditshmërie me çmime ekonomike dhe veshje për fëmijë, përfshirë çorape apo tuta sportive.
Në dyqanet e markës OVS, që përfaqëson stilin italian, stafi i shitjeve pohoi se markat PIOMBO janë mjaft të kërkuara nga turistët italianë për shkak të familjarizimit me dizajnin dhe ngjyrat që eksperimentohen për stilin cusual. Në këtë dyqan kërkesë në rritje nga turistët ka edhe për veshjet e fëmijëve.
Edhe stafi i dyqanit të veshjeve të markës “De Facto” thekson se kërkesa nga turistët është në rritje krahasuar me vjet, veçanërisht për veshjet e grave dhe fëmijëve.
Mehmet Memo, menaxher për Shqipërinë i kompanisë “LC Waikiki Retail AL Sh.p.k” pohon se turistët kanë ndikim të madh në shitje gjatë sezonit veror, veçanërisht në dyqanet në qendrën e Tiranës dhe qytetet bregdetare.
“Ka një rritje të dukshme të kërkesës për veshje nga turistët, veçanërisht në qytetet bregdetare si Durrësi dhe Vlora, ku volumi i shitjeve është më i lartë.
Këto qytete janë destinacione të njohura turistike dhe prania e një numri të madh turistësh ka kontribuar në rritjen e shitjeve. Gjithashtu, kemi vërejtur rritje të kërkesës në qytetet e tjera si Tirana dhe Shkodra, të cilat gjithashtu kanë përjetuar rritje të numrit të vizitorëve”.
Megjithëse fluksi i turistëve rritet ndjeshëm në verë, kjo nuk përbën një faktor përcaktues në shitjet totale të dyqaneve të veshjeve luksoze, sipas Era Xhabaftit, zëvendësmenaxhere e përgjithshme e kompanisë “Mini Invest Albania” që tregton markën “Boggi Milano”.
Znj. Xhabafti thekson se kjo vjen për shkak të çmimeve, të cilat nuk janë konkurruese, çka do të joshte turistët për të kryer më tepër blerje.
“Blerjet në sektorin e veshjeve vijojnë të dominohen kryesisht nga konsumatorët vendas. Gjatë sezonit veror vërehet rritje interesi nga turistët, por gjatë pjesës tjetër të vitit, kërkesa nga të huajt është më e kufizuar dhe lidhet kryesisht me ata që ndodhen në Shqipëri për arsye punësimi.
Megjithëse turizmi në vend po njeh zhvillim të vazhdueshëm, ai ende nuk shoqërohet me zakone konsumi të ngjashme me ato në vendet e Bashkimit Europian, ku shopping-u është pjesë e rëndësishme e përvojës turistike.
Në Shqipëri, shumica e turistëve të huaj vijnë për natyrën, bregdetin dhe malet, jo për ofertën e qendrave tregtare, edhe për shkak të mungesës së shumë markave ndërkombëtare të njohura. Ndërkohë, markat e pranishme në treg nuk ofrojnë ndonjë përparësi çmimi krahasuar me vendet e origjinës së turistëve.
Si rezultat, edhe pse gjatë verës dyqanet përjetojnë fluks më të lartë vizitorësh, shopping-u nga turistët nuk përbën ende një faktor vendimtar në ecurinë e përgjithshme të shitjeve në retail-in e veshjeve”.
Të dhënat e operatorëve
Sipas të dhënave të QKB-së, të ardhurat e kompanisë ”ITX Albania” në 2024 u rritën me 10.4% krahasuar me 2023. Fitimet në 2024 u rritën me 25.5% në raport me periudhën paraardhëse.
Për “LC Waikiki Retail Al” të ardhurat në 2024 u rritën me 12% krahasuar me 2023. Fitimet e kompanisë u rritën me 84% në 2024 në raport me periudhën paraardhëse.
Të ardhurat e “In Sport” në 2024 ranë me 3.8% krahasuar me 2023. Kompania shënoi edhe rënie të fitimeve me 16.2% krahasuar me 2023.
Të ardhurat e “Balkan Sport” në 2024 u ulën me 6.2% krahasuar me 2023. Fitimet u ulën 21%. Në vitin 2024, të ardhurat e kompanisë “New Yorker Albania” u zgjeruan me 11.5% dhe 50.4% krahasuar me vitin 2023.
Në vitin 2024, të ardhurat e “Defacto Retail” u rritën me 6% krahasuar me 2023, ndërsa fitimet e operatorit u rritën me 55.5%. Të ardhurat e operatorit “KOAN sh.p.k.” në 2024 u rritën me 44%, kurse fitimet ranë 26.7% krahasuar me 2023.
Monitor
-
Albania4 days ago“Wizz Air” le në mëshirë të fatit pasagjerët e linjës Londër-Tiranë
-
Albania6 days agoU kap me kokainë me vlerë 230 mijë euro, shqiptari: Mos më dënoni, më lejoni të kthehem në Shqipëri
-
UK6 days agoFOTO/ Nëna me dy fëmijët humbën jetën në një zjarr tragjik në Angli
-
Albania1 week agoShqiptari në Britani shpëton nga deportimi pasi “partnerja nuk i flet shqip”
-
UK4 days agoVizitorët, tarifë për të hyrë në Britani – Shtetasit që udhëtojnë pa viza duhet të aplikojnë për autorizim
-
UK1 week agoRrëzohet aeroplani në Britani, alarm në aeroportin Southend në Londër
-
Sports6 days agoIsh-kampioni i botës në boks Anthony Joshua plagoset në një aksident automobilistik në Nigeri, dy persona humbin jetën
-
UK5 days agoBllokohet hekurudha Angli-BE/ Probleme me energjinë elektrike, pezullohen udhëtimet për mijëra pasagjerë
