Anthony Joshua është mposhtur të shtunën mbrëma në Londër nga ukrainasi Oleksandr Usyk, duke i humbur titujt e botës në versionet WBA, IBF, WBO dhe IBO në peshën e rëndë.
Humbja e Joshuas i ka dhënë goditje të madhe planeve për organizimin e një superpërballje për unifikim të gjithë titujve të peshës së rëndë mes Joshuas e Tyson Furyt. Kjo përballje ishte vlerësuar më e madhja në boks aktualisht. Kjo luftë ishte vlerësuar 500 milionë funte.
Ishte planifikuar organizimi i saj, por pasi që Fury u detyrua që t’i ofronte rimeç amerikanit Deontay Wilder për titullin WBC, u vendos që edhe Joshua të mbronte titujt e tij kundër Usykut.
Joshua nuk e kreu obligimin e tij. Pësoi me vendim unanim pas 12 raundeve. 117:112, 116:112 dhe 115:113 ishte vlerësimi i jurisë për ukrainasin Usyk.
Promotori i Joshuas, Eddie Hearn, e ka vlerësuar këtë humbje shkatërruese, ndërsa ka thënë se Joshua po mendon për rimeç tashmë.
“Humbje e rëndë. Ne e dinim se humbja mund të ndodhte nëse Anthony nuk i bënte gjërat si duhet dhe ai nuk i bëri gjërat si duhet. Mori tepër goditje në raundet e hershme dhe Usyk ishte më agresiv se që mendova dhe fitoi me meritë”, ka thënë Hearn, raporton BBC. “E gjitha që Anthony do të bëjë tash është të mendoj për Oleksandr Usykun, se si ta mposhtë atë meçin e ardhshëm e si të përmirësohet”.
Vet Joshua ka thënë se e do rimeçin dhe se do t’i kthehet stërvitjeve.
“100 për qind e dua rimeçin. Do t’i kthehem stërvitjeve. Ishin 12 raunde të mira për mushkëritë e mia, do të rikthehem”, ka thënë Joshua, për të cilin ishte humbja e dytë në boks profesionist, karshi 24 fitoreve.
Ndërkohë në Twitter, Joshua po ashtu dha një mesazh në Twitter: “Qëndron pozitiv edhe nëse bota po rrënohet para jush! Lundër të dua dhe faleminderit!”.