I sugjerojnë ndërhyrje kirurgjikale për dobësim, Bebe Rexha: Unë ha shumë dhe kam çrregullim hormonal që më bën të shtoj peshë

 24,841 total views,  1 views today

Këngëtarja shqiptare me famë ndërkombëtare, Bebe Rexha, është duke shijuar suksesin e këngës së saj më të fundit “I’m good (Blue)” me David Guettan.

Ajo së fundmi performoi live në NRJ Music Awards 2022, gjersa ka arritur të nominohet edhe për mbrëmjen e madhe të çmimeve, Grammy Awards 2023.

Rexha ndërkohë vazhdon të jetë aktive dhe e ndjekur në rrjetet sociale, duke ndarë me ndjekësit fotografi dhe video të ndryshme nga jeta e saj e përditshme apo aktivitetet muzikore.

Foto: Bebe Rexha/Instagram

Jo pak herë, 33-vjeçarja nuk nguron që t’iu përgjigjet fansave të saj në Twitter kur ata i shkruajnë ndonjë pyetje apo status dedikuar saj.

Së fundmi, interpretuesja e hitit “I’m a mess” i është përgjigjur një fansi i cili i sugjeroi asaj një ndërhyrje estetike për të humbur peshën, për të cilën është kritikuar shpesh herë.

“I dashur, unë ha shumë dhe kam sindromën e vezoreve policistike dhe marr ilaçe që më bëjnë të shtoj peshë. Më beso se do të doja të isha më i vogël jo më e madhe”, shkroi Bebe Rexha në Twitter.

Përndryshe, artistja me renome botërore është kritikuar shpesh për kilogramët e tepërt, madje në vitin 2019 ajo kishte dalë publikisht me një video në rrjetet sociale duke reaguar kundrejt shtëpive të famshme të modës që refuzuan dizajnimin e fustanit të saj, për shkak të përmasave të saj trupore. /Telegrafi/

Dukja e Bebe Rexhës në Grammy (Foto: Jon Kopaloff/Getty Images/Guliver)