Ish-ministri Ylli Manjani thotë se LSI ka përgjegjësi politike për çështjen e inceneratorëve. Manjani thekson se u shkelën të gjitha rregullat, dhe LSI ku përfshin edhe veten, nuk arriti dot të ndalonte “masakrën mjedisore”.
Ish-ministri i Drejtësisë, Ylli Manjani fajëson edhë Lëvizjen Socialiste për Integrim për çështjen e inceneratorëve. Në një postim në rrjetet sociale, Manjani thotë se pavarësisht se LSI sot distancohet, LSI mban përgjegjësi politike, pasi nuk bëri asgjë për të ndaluar atë që ai e quan “masakër mjedisore”.
POSTIMI I PLOTË I YLLI MANJANIT:
Pavarësisht distancimit të LSI së sotme nga veprimtaria ish Ministrit Koka për çështjen e inceneratorëve, gjykoj se LSI mban përgjegjësi politike. LSI minimalisht kishte në dorë ta ndalte këtë masakër mjedisore, urbane, buxhetore dhe anti-integrim, por nuk e bëri! Mirë u çmend Lefteri, po të tjerët pse e lejuan që qeveria të vendosë brenda ditës?!
Pse u lejua të shkelej dokumenti strategjik për trajtimin e mbetjeve?! Pse u lejua shkelja e angazhimeve të marrëveshjes së Stabilizim Asocimit?! Kjo e fundit për LSI kishte në shumë kuptim se asgjë tjetër. Siç në fakt nuk ndali, përkundrazi kontribuoi, në shkatërrimin e shtetit me miratimin e ligjeve të reformës në drejtësi pa konsensusin e opozitës. LSI nuk ndali në fakt asgjë nga këto të liga anti-europë e anti-integrim të modelit Edi Rama, që po përjetojnë sot shqiptarët. Kur them LSI, fus dhe veten time për aq sa më takon në këtë përgjegjësi. Pavarësisht përpjekjeve të mia reaguese, ne NUK E NDALËM dot të keqen. Kjo është e vërteta, me të cilën nuk mund të luhet për asnjë arësye mendoj unë. As për të bërë Opozitë. Nuk është e thënë të jesh peng i të shkuarës, por distancimi nga ajo bëhet më i besueshëm me një ndjesë si fillim dhe, në vijim me një plan rikuperimi. Politika serioze dhe e përgjegjshme nuk e shet të shkuarën e saj tek personat, por e rivlerëson si aset për të bërë më mirë në të ardhmen. E vërteta është e hidhur si ilaçi, por i domosdoshëm për t’u pirë. Refuzimi për ta pirë përkeqëson sëmundjen…
=======
P.S. Besoj me këto mendime i shërbej Ramës…
Ish-ministri i LSI, Lefter Koka ishte pjesë e emrave të ish-zyrtarëve dhe zyrtarëve të paditur nga Partia Demokratike në SPAK. Ata akuzohen nga Partia Demokratike për veprat penale: “grup të strukturuar kriminal”, “shpërdorim detyre”, “shkelja e barazisë së pjesëmarrësve në tendera apo ankande publike”. Por LSI, është distancuar. Monika Kryemadhi thotë se afera e inceratorëve ishte dhe arsyeja e largimit të Kokës nga LSI.