Iu mbyll rruga për në Serbi, reagon Lavrov: Askush nuk do të mund të shkatërrojë marrëdhëniet tona

 4,673 total views,  1 views today

Ministri i Jashtmë rus, Sergei Lavrov reagoi të hënën pas bllokimit të rrugës së tij për në Serbi, ku kishte planifikuar një vizitë zyrtare. Lavrov e quajti të paprecedentë vendimin e shteteve ballkanike për të mbyllur hapësirën e tyre ajrore për avionin rus dhe tha se nuk ka marrë ende një shpjegim zyrtar për vendimin.

“E di që do të na japin shumë shpjegime të padëgjuara më parë. Shtetet që bllokuan kalimin e avionit rus do të thonë që morën urdhër nga BE dhe NATO. Ndërsa këto do të thonë se shtetet vendosën në mënyrë të pavarur”, tha Lavrov në një konferencë për mediat. “Gjëja kryesore është se askush nuk do të mund të shkatërrojë marrëdhëniet tona me Serbinë”.

Lavrov shtoi se kishte planifikuar të takohej me Vucic, homologun Nikola Selakovic, kryeparlamentarin Ivica Dacic dhe klerikët e Kishës Ortodokse Serbe. “Sidoqoftë, këto marrëdhënie nuk do të zhduken. Kemi ftuar ministrin e Jashtëm serb, Selakovic që të vizitojë Moskën së shpejti. Shpresoj që avioni i tij të mos sanksionohet paturpësisht nga Brukseli dhe klientët e tij”.

Bullgaria, Maqedonia e Veriut dhe Mali i Zi mbyllën hapësirën e tyre ajrore për avionin që do të dërgonte në Beograd kryediplomatin rus.

Për këtë veprim reagoi edhe ministri serb i Brendshëm, Aleksandar Vulin, i cili tha se Rusia mbetet një shtet mik i madh i Serbisë. “Nuk mund të ketë paqe në një botë ku diplomatëve u pengohet kërkimi i paqes. Ata që bllokuan ardhjen e Sergei Lavrov nuk duan paqe, vetëm ëndërrojnë të mundin Rusinë”, tha Vulin. “Serbia është krenare që nuk bën pjesë në histerinë antiruse dhe vendeve që bëjnë pjesë, do t’u vijë turp një ditë”.