Kryeministri britanik, Johnson u bëri thirrje udhëheqësve botërorë të njohin shkallën e sfidave me të cilat përballet bota në ndryshimet klimatike dhe ngrohjen globale
Konferenca vjetore e Kombeve të Bashkuara (OKB) mbi ndryshimet klimatike, COP26, duhet të jetë një “një pikë kthese për njerëzimin”, tha të mërkurën kryeministri i Britanisë së Madhe, Boris Johnson në New York.
Duke iu drejtuar Asamblesë së Përgjithshme të OKB-së, Johnson u bëri thirrje udhëheqësve botërorë të njohin shkallën e sfidave me të cilat përballet bota në ndryshimet klimatike dhe ngrohjen globale.
Duke theksuar nevojën për të mbajtur rritjen e temperaturës globale me 1.5 gradë Celsius, Johnson tha se “adoleshencës së njerëzimit po i vjen fundi”.
“Ne po i afrohemi këtij momenti kritik në më pak se dy muaj, kur duhet të tregojmë se jemi të aftë të mësojmë, të piqemi dhe më në fund të marrim përgjegjësinë për shkatërrimin që shkaktojmë, jo vetëm në planetin tonë, por mbi veten tonë. Është koha që njerëzimi të rritet”, tha Johnson.
Ai shtoi se është koha për të “dëgjuar paralajmërimet e shkencëtarëve”, të cilat rezultuan të vërteta edhe në rastin e pandemisë së COVID-19.
“Çdo ditë, çdo javë, bëjmë dëme aq të pakthyeshme saqë shumë kohë para se të ketë kaluar një milion vjet e kemi bërë këtë planet të bukur efektivisht të pabanueshëm, jo vetëm për ne, por për shumë specie të tjera. Dhe kjo është arsyeja pse samiti i COP26 në Glasgow është një pikë kthese për njerëzimin”, tha Johnson.
Konferenca COP26, e cila u shty vitin e kaluar për shkak të pandemisë së koronavirusit (COVID-19) është planifikuar të mbahet nga 31 tetori deri më 12 nëntor në Glasgow, Skoci.