Për shumë vite, Shqipëria u promovua si alternativa ekonomike e Mesdheut, një destinacion ku mund të shijohej deti me kosto dukshëm më të ulëta se në Greqi, Kroaci apo Itali.
Por vera e vitit 2026 po tregon se ky avantazh po zbehet gradualisht. Sidomos në jug të vendit, çmimet e akomodimit, shërbimeve dhe të argëtimit janë rritur në nivele që po i detyrojnë pushuesit shqiptarë të bëjnë më shumë krahasime para se të rezervojnë pushimet.
Dhërmiu, Jala, Himara, Ksamili dhe Saranda mbeten ndër destinacionet më të kërkuara, por njëkohësisht edhe më të shtrenjtat. Sipas tarifave të publikuara nga strukturat akomoduese për sezonin veror 2026, një dhomë dyshe në një hotel me 3 ose 4 yje në Himarë dhe Sarandë kushton zakonisht nga 80 deri në 150 euro për natë gjatë korrikut dhe gushtit.
Në Dhërmi dhe Jal, ku oferta është më e kufizuar dhe kërkesa më e lartë, çmimet luhaten zakonisht nga 120 deri në 250 euro për natë, ndërsa resortet dhe vilat premium arrijnë shpesh në 300-400 euro për natë dhe në raste të veçanta edhe më shumë. Çmimet dyfishohen për dhoma me kapacitete më të mëdha në rastet e familjeve me dy ose më shumë fëmijë.
Edhe tregu i apartamenteve turistike nuk konsiderohet më ekonomik si dikur. Në Ksamil, një apartament për katër persona kushton zakonisht nga 100 deri në 180 euro për natë gjatë sezonit të pikut, ndërsa pronat me pamje nga deti apo pranë plazheve kryesore arrijnë lehtësisht mbi 200 euro për natë.
Kjo do të thotë se vetëm akomodimi për një familje mund të kushtojë nga 700 deri në mbi 1,500 euro për një javë pushime.
Edhe ushqimi po zë një peshë gjithnjë e më të madhe në buxhetin e pushimeve. Një drekë ose darkë për një familje me katër persona në zonat turistike kushton zakonisht nga 40 deri në 80 euro, ndërsa në restorantet më të frekuentuara pranë vijës bregdetare, fatura mund të kalojë lehtësisht 100 euro.
Nëse shtohen mëngjeset, pijet, akulloret, aktivitetet argëtuese dhe transporti lokal, shpenzimet ditore mund të arrijnë 70-150 euro edhe pa përfshirë hotelin.
Agjencitë turistike të kontaktuara thonë se janë këto kosto që e bëjnë pushuesin shqiptar më krahasues se kurrë më parë. Sipas tyre, në vend që të zgjedhë automatikisht bregdetin vendas, ai po krahason çmimet me Korfuzin, Halkidikin, Pargën apo paketat “all inclusive” në Turqi. Për një familje me katër anëtarë, diferenca mes një jave pushime në Jug të Shqipërisë dhe një pakete të organizuar jashtë vendit është ngushtuar ndjeshëm.


