Kosovë, Haradinaj e cilëson mashtrim ligjin e ri të pagave

 276 total views,  2 views today

Kryetari i Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës, Ramush Haradinaj, e ka cilësuar mashtrim draftin e ligjit të ri të pagave, që pritet të shkojë në mars në Kuvend për shqyrtim.

Sipas draftit që ka siguruar KOHA, ligji parashihet të ketë numrin 20 si koeficientin më të lartë, për postin e presidentit të vendit. Për dallim nga ky ligj, ai i Qeverisë Haradinaj kishte më pak ndarje në koeficient. Koeficienti atë kohë ishte në vlerë 239 eurosh, ndërsa në draftin aktual s’është paraqitur se sa do të jetë vlera.

Një ulje e vlerës monetare të koeficientit, sipas Haradinajt, është mashtrim.

“Rritja e koeficientit, e në anën tjetër zvogëlimi i vlerës monetare, është mashtrim ordiner. Është tepër me rëndësi që të rirregullohet Ligji i Pagave, por ky ligj nuk duhet të bjerë. Po shoh komente dhe qëndrime të ndryshme të sindikatave, të zyrtarëve institucionalë dhe të autoriteteve politike. Të gjithë në një apo në një mënyrë tjetër, po i japin qëndrimet për organizatën buxhetore që përfaqësojnë. Vlerësimet të cilat kanë qenë të evidentuara, janë të përcaktuara nga Gjykata Kushtetuese. Ato duhet të rregullohen, ndërsa koeficienti dhe vlera e tij, jo vetëm se nuk duhet të zvogëlohen por ato duhet të rriten në përputhje me rritjen e çmimeve të konsumit. Në këtë vend gjithçka është rritur, përpos pagave që kanë mbetur në vendnumëro!” ka thënë Haradinaj në Facebook.

Ai ka porositur Qeverinë “të mos eksperimentojë me këtë ligj, sepse durimi ka kufi”.

Haradinaj ka thënë se pagat duhet të harmonizohen me shkallën e shtrenjtimit të jetesës.