Kosovës i duhen më shumë gra në ushtri. Ishte kjo thirrja që bëri bashkë përfaqësues të shumtë të shtetit në konferencën me temë: Avancimi i përfaqësimit dhe rolit të grave në ushtri: Një hap drejt barazisë më të madhe gjinore, paqes dhe sigurisë, e cila organizohet në kuadër të Qendrës Rajonale të Ekselencës për Gratë, Paqen dhe Sigurinë në Kosovë. Presidentja Vjosa Osmani tha se vendi, përderisa synon anëtarësimin në NATO, duhet të bëjë më shumë për të rritur pjesëmarrjen e grave në ushtri.
“Na duhen vepra konkrete e politika të përshtatshme e mbi të gjitha resurse të bollshme, ka shumë sfida me të cilat ballafaqohen gratë ushtarake sot. Sfida këto që shpeshherë bëjnë që ato edhe të heqin dorë nga ky profesion, pavarësisht nga aftësitë mbresëlënëse dhe potenciali i jashtëzakonshëm që ato kanë… Ka raste kur ballafaqohen edhe me ngacmime seksuale gjatë ushtrimit të punës së tyre, prandaj është e domosdoshme që përtej eliminimit të diskriminimit të marrim hapa të rreptë dhe të drejt për adresimin e fenomeneve të tilla në çdo institucion pa dallim. Është esenciale që në strukturat ushtarake të përfshihen kurikula dhe trajnime për ndjeshmërinë gjinore dhe adresim efikas të rasteve të tilla në rast se ato ndodhin… Në konkurset e ardhshme për rekrutim të kemi dispozita të veçanta ashtu siç e lejon edhe neni 14 i Kushtetutës tonë që për të arritur përfaqësim të grave në ushtri të kemi mjete afirmative në mënyrë që sa më shumë gra të konkurrojnë”, thotë Osmani.
Ministri i Mbrojtjes, Ejup Maqedonci u shpreh se kanë vullnet të hekurt për të rritur përfshirjen e grave në ushtri.
“Duke pasur parasysh se jemi një shtet i ri kjo përqindje megjithatë nuk është një shifër e keqe, megjithatë synimi është që përfshirja e grave në ushtri të rritet sepse Forcat do të reflektoj përbërjen e popullit dhe besojmë thellësisht se si burrat ashtu edhe gratë e duan njëjtë atdheun dhe janë në gjendje të luftojnë njëjtë për të. Padyshim që realizimi i këtij synimi është i vështirë nëse vazhdon të ekzistojë një paragjykim sa i përket ushtrisë së profesion për gratë dhe një mundësi e tillë i kontribuojnë ambienteve të pabarabarta… Do të vazhdojmë të angazhohemi në eliminim e pengesave në çfarëdo forme, që stagnojnë avancimin e pozitës së grave në forcë. Në këtë drejtim jemi të vendosur që përbërja e bordeve rekrutuese dhe zgjedhëse gjithmonë të reflektojë perspektivë gjinore si prezencë e balancuar”, shprehet Maqedonci.
Drejtori i Zyrës Ndërlidhëse dhe Këshilluese të NATO-s në Kosovë, gjeneral, Christian Nawrat u shpreh se agjenda për rritjen e pjesëmarrjes së grave në të gjitha nivelet është prioritet i NATO-s.
“NATO dëshiron të promovojë agjendën e grave për paqe dhe siguri në të gjitha shtetet anëtare të Aleancës dhe që të avancohet vendimmarrja e NATO-s në të gjitha përpjekjet për të arritur barazi gjinore. Po ashtu, NATO e kupton që barazia gjinore dhe agjenda për gratë, paqen dhe sigurinë reflekton detyrën dhe prioritetet kryesore të aleancës dhe që janë integrale për paqen”.
Kosova ka përqindje të ulët të përfshirjes së grave në ushtri.