Kroacia, Bullgaria dhe Rumania janë “gati” për t’u bashkuar me Zonën Shengen pa viza, pasi i kanë përmbushur të gjitha kriteret e nevojshme, tha Komisioni Evropian.
Një Shengen i zgjeruar do ta bëjë Evropën “më të sigurt, më të begatë dhe më tërheqëse”, tha ekzekutivi të mërkurën, duke u bërë thirrje vendeve anëtare të pranojnë tri kandidatët.
Miratimi kategorik vjen në prag të një takimi të lartë të Ministrave të Brendshëm në dhjetor, ku çështja e pranimit në Shengen është vendosur të kthehet në tryezën e bisedimeve.
Anëtarësimi në Shengen kërkon ndër të tjera zbatimin e rregullave të përbashkëta, menaxhimin e duhur të kufijve të jashtëm, shkëmbimin e informacionit të sigurisë dhe bashkëpunim efikas policor.
Kërkohet një votim unanim për pranimin e anëtarëve të rinj.
Kroacia, Bullgaria dhe Rumania kanë pritur prej vitesh për t’iu bashkuar zonës pa pasaporta, e cila aktualisht përfshin 26 vende, ndër të cilat 22 shtete të BE-së dhe pothuajse 420 milionë qytetarë.
Në rastin e Bullgarisë dhe Rumanisë, pritja është shtrirë për më shumë se një dekadë. Komisioni e konfirmoi gatishmërinë e vendeve në vitin 2011 dhe u ka bërë thirrje në mënyrë të përsëritur vendeve anëtare që të lejojnë anëtarësimin.
Fillimisht, propozimet për Bullgarinë dhe Rumaninë u kundërshtuan nga Franca, Gjermania, Finlanda, Suedia, Holanda dhe Belgjika lidhur me shqetësimet mbi korrupsionin, krimin e organizuar dhe reformat gjyqësore.
Megjithatë, gradualisht kundërshtitë u lehtësuan. Këtë vit, presidenti francez Emmanuel Macron dhe kancelari gjerman Olaf Scholz e dhanë mbështetjen e tyre.
“Shengeni është një nga arritjet më të mëdha të Bashkimit Evropian dhe ne duhet ta mbrojmë dhe zhvillojmë atë. Kjo do të thotë, mbyllje e boshllëqeve që mbeten,” tha Scholz në fund të gushtit.
Finlanda dhe Danimarka i kanë zbutur po aq pozicionet e tyre, mësoi Euronews.
Por muajin e kaluar, Parlamenti holandez miratoi një rezolutë që i kërkon qeverisë së kryeministrit Mark Rutte të vërë veton ndaj dy aplikimeve derisa të kryhen verifikime të mëtejshme.
Ligjvënësit holandezë argumentuan se mbizotërimi i korrupsionit dhe krimit të organizuar në Bullgari dhe në Rumani përbën “një rrezik për sigurinë e Holandës dhe të gjithë Zonës Shengen”.
Në një përpjekje për të fituar mbi skeptikët e mbetur, Sofja dhe Bukureshti ftuan Komisionin Evropian dhe shtetet e BE të organizojnë një mision faktmbledhës ekspertësh dhe të shqyrtojnë situatën në terren.
Ekspertët vizituan të dy vendet në gjysmën e parë të tetorit. Sipas Komisionit, gjetjet ishin “shumë pozitive” dhe dëshmuan se të dyja vendet ishin të gatshme për t’iu bashkuar Shengenit.
Sytë e të gjithëve janë kthyer nga Këshilli i BE-së, ku politika ka ndikim të madh.
Republika Çeke, e cila aktualisht mban presidencën e rradhës të Këshillit dhe ka për detyrë të drejtojë debatet, e ka bërë zgjerimin e Shengenit një nga prioritetet e saj kryesore.
Por ora po afron: Shansi tjetër – dhe me gjasë i fundit – që Praga do të duhet të vendosë në votim çështjen e ngecur prej kohësh do të jetë më 9 dhjetor, kur Ministrat e Drejtësisë dhe të Punëve të Brendshme janë planifikuar të takohen.
Vetëm një miratim unanim mund të heqë kontrollet në të gjithë kufijtë e brendshëm.
Nëse të tri vendet pranohen, vetëm dy nga 27 vendet anëtare të BE-së do të mbeten jashtë Shengenit: Irlanda, e cila vullnetarisht vendosi të mos mbajë skemën e saj të udhëtimit me Mbretërinë e Bashkuar, dhe Qiproja, e cila mbetet e ndarë midis veriut dhe jugut.