Autoritetet britanike të aviacionit u kanë bërë thirrje udhëtarëve që këtë verë t’i mbajnë bateritë portative (power bank) dhe pajisjet e tjera me bateri litiumi vetëm në bagazhin e dorës, pasi ato paraqesin rrezik zjarri gjatë fluturimeve.
Sipas Civil Aviation Authority (CAA), bateritë me litium mund të mbinxehen, sidomos nëse janë me defekt, duke shkaktuar zjarr. Autoriteti thekson se mbi një e treta e udhëtarëve nuk janë të vetëdijshëm për rrezikun e vendosjes së tyre në bagazhin e regjistruar, megjithëse shumica udhëtojnë me telefona, laptopë dhe power bank.
Për shkak të incidenteve të raportuara vitet e fundit, shumë linja ajrore kanë vendosur rregulla më të rrepta për transportimin e power bank-ëve, ndërsa disa kompani, si Virgin Atlantic dhe Wizz Air, kanë pajisur avionët me çanta të posaçme për izolimin e baterive që mund të marrin flakë.
Ekspertët kujtojnë se bateritë me litium nuk gjenden vetëm në power bank, por edhe në telefona celularë, laptopë, orë inteligjente dhe pajisje të tjera elektronike, ndaj udhëtarët duhet të respektojnë udhëzimet e linjave ajrore për transportimin e tyre


