Uragani Milton është intensifikuar me shpejtësi në një stuhi tejet të rrezikshme të kategorisë së pestë, teksa çan rrugën drejt shtetit amerikan të Floridës.
Milton po fryn erëra të forta me shpejtësi deri në 285 km/h, ndërsa përshkon skajin verior të gadishullit Jukatan të Meksikës. Parashikuesit paralajmërojnë për stuhi potencialisht katastrofike përgjatë zonave bregdetare, shkruan A2.
Stuhia pritet të godasë qytetin shumë të populluar të Tampa Bay me fuqi të plotë të mërkurën.
Kryetarja e bashkisë së Tampas ka paralajmëruar banorët se nëse vendosin të qëndrojnë në zonat e evakuimit kur të godasë Uragani Milton, ata do të vdesin.
“Unë mund ta them këtë pa asnjë dramatizim: Nëse zgjidhni të qëndroni në një nga ato zona evakuimi, do të vdisni”, tha Jane Castor për CNN.
Qarku Hillsborough, ku ndodhet Tampa, lëshoi urdhra evakuimi të detyrueshëm për banorët e zonave A dhe B dhe ata që jetojnë në shtëpi të lëvizshme.
Uragani Helene ishte një “thirrje zgjimi”, tha Castor, duke vënë në dukje se kërcënimi i mundshëm nga uragani Milton është katastrofik.
Banorëve të Floridës u është thënë të përgatiten për përpjekjen më të madhe të evakuimit të shtetit në vite. Guvernatori Ron DeSantis paralajmëroi njerëzit që të evakuohen me shpejtësi.
“Ne duhet të supozojmë se ky do të jetë një përbindësh,” tha guvernatori DeSantis në konferencën për shtyp të hënën pasdite.
Paralajmërimet për uraganin Milton vijnë vetëm 10 ditë pasi uragani Helene, stuhia më vdekjeprurëse kontinentale që nga Katrina në 2005, goditi juglindjen e SHBA-së, duke vrarë të paktën 225 njerëz.