Egnatia, Vllaznia dhe Partizani janë tre skuadrat që kanë siguruar matematikisht pjesëmarrjen në “Final4”.
Megjithatë, gara mes këtyre tre skuadrave që janë shkëputur nga pjesa tjetër e ekipeve nuk ka mbaruar.
Siç dihet, vendi i parë dhe i dytë kanë avantazh barazimin në gjysmëfinalet e “Final4”, por në anën tjetër skuadra që renditet e para do të marrë dhe 100 milionë lekë të vjetra.
Dy javë nga fundi, gjithçka mbetet e hapur dhe Egnatia e rrezikon jo pak kryesimin e kampionatit.
Rrogozhinasit u mundën nga Teuta të shtunën dhe ndjenë presionin e Vllaznisë që ka 2 pikë më pak dhe të Partizanit që ka 3 pikë më pak.
Rrogozhinasit kanë dy përballje me një koeficient vështirësie të konsiderueshëm, pasi do të përballen me dy ekipe që garojnë për vendin e katërt.
Në mesjavë, të besuarit e Tetovës do të përballen me Dinamon në transfertë, ndërkohë që në javën e fundit do presin Tiranën në shtëpi.
Në anën tjetër, Vllaznia do tentojë që të rikuperojë dy pikët në përballjet që do të ketë me Tiranën dhe me Skënderbeun.
Të mërkurën, kuqeblutë e Berdaric do të zhvillojnë klasiken me bardheblutë dhe e mbyllin kampionatin me Skënderbeun në Shkodër.
Në rast se Egnatia dhe Vllaznia e mbyllin në pikë të barabarta kampionatin, atëherë rrogozhinasit do të renditeshin më lart, për shkak se kanë shënuar më shumë gola në ndeshje direkte, kjo për shkak se të dyja i kanë marrë nga 6 pikë përballë njëra-tjetrës.
Partizani në letër ka kalendarin më të thjeshtë gjatë këtyre dy javëve që kanë mbetur.
“Demat” do të luajnë me dy skuadrat që edicionin e ardhshëm do të luajnë në Kategorinë e Parë.
Si Kukësi dhe Erzeni, që janë kundërshtarët e ardhshëm të skuadrës së Orges Shehit e kanë prerë biletën matematikisht për një kategori më poshtë.
Nëse Partizani do të renditet në pikë të barabarta me Egnatian në fundin e sezonit, rrogozhinasit do të renditeshin më lart, për shkak se kanë marrë 6 pikë në ndeshje direkte me të kuqtë, kundrejt 3 të “demave”.
E thënë më thjeshtë, në dy ndeshjet e fundit Egnatia do të siguronte vendin e parë matematikisht nëse do të merrte katër pikë, pasi përballë të dy ndjekësve është e avantazhuar në ndeshjet direkte.
Në krahun tjetër, në ndeshjet direkte mes Partizanit dhe Vllaznisë, kryeqytetasit kanë marrë 6 pikë, ndërsa Vllaznia vetëm tre e nëse në fund do ishin në pikë të barabarta, demat do pozicionoheshin sipër Vllaznisë.
Gjithçka mbetet e hapur deri në fund, teksa kampionati do të përfundojë këtë fundjavë, pasi në vijim do të luhet finalja e Kupës së Shqipërisë në 14 maj e më pas faza “Final4”.