Kjo Qeveri është dëshmuar në përcaktimin euroatlantik, por para së gjithash dhe mbi të gjithave i shërben interesave të qytetarëve të këtij vendi, deklaroi kryeministri Zoran Zaev, duke u përgjigjur në pyetjen e deputetit të Aleancës për shqiptarët, Halil Snopçe, përse Maqedonia e Veriut nuk i është bashkangjitur sanksioneve ekonomike të BE-së ndaj Rusisë.
“Prej vitit 2016, e deri më tani, Republika e Maqedonisë së Veriut iu është përmbajtur të gjitha deklaratave, masave dhe sanksioneve të miratuara nga ana e BE-së, përfshirë edhe ato kundër shtetasve dhe personave juridikë rusë. Shkalla momentale e bashkangjitjes së Republikës së Maqedonisë së veriut ndaj qëndrimeve, masave dhe deklaratave të BE-së, përkatësisht harmonizimit me to, është 94 për qind, ndërsa deri në vitin 2016 ishte 74 për qind”, theksoi Zaev.
Ai theksoi se vendi, mes tjerash, i është përmbajtur vendimeve të BE-së për dënim të rrëzimit të aeroplanit malajzias mbi territorin e Ukrainës, konfliktit mes Rusisë dhe Gjeorgjisë, rrezikimit të integritetit dhe sovranitetit territorial ukrainas, sulmit kibernetik rus ndaj subjekteve në BE dhe atentateve ndaj opozitarit rus Navallni dhe ish-agjentit Skripall, për ç’shkak vendi madje edhe dëboi një diplomat rus duke shprehur solidaritet me Britaninë e Madhe.
“Ne jemi vend kandidat për anëtarësim në BE, por nuk jemi anëtare. Interes i qytetarëve dhe shtetit, nëse diçka nuk e kemi patjetër, të mos e bëjmë. Dhe prandaj, krahas tërë asaj që e ceka, ne nuk iu kemi bashkangjitjur masave ekonomike ndaj Rusisë, sepse kemi interes serioz për bashkëpunim ekonomik me Rusinë. Ne jemi vend anëtar i NATO-s dhe për ne nuk ka alternativë për BE, por vendi ynë ka interes të jetë mike me pjesën tjetër të botës”, tha Zaev.
Kryeministri theksoi se legjislatura jonë dhe politikat tona janë më se të harmonizuara me ato të BE-së, se sa me disa vende që tashmë negociojnë për partneritet në Union dhe Maqedonia e Veriut është shembull për marrëdhënie të mira fqinjësore.
“Ne jemi rrëfim i suksesshëm evropian dhe shembull i suksesshëm evropian dhe presim që BE-ja të kundërpërgjigjet në mënyrë adekuate ndaj tërë asaj që bënë qytetarët e Republikës së Maqedonisë së Veriut. Nëse e bëjnë atë që kemi merituar, mundemi edhe njëherë të kthehemi dhe ta shqyrtojmë këtë çështje. Deri atëherë, së pari dhe para së gjithash u shërbejmë qytetarëve dhe popullit tonë dhe përmbushjes së interesave të tyre për integrim të RMV-së në BE dhe vazhdojmë të luftojmë për avancimin e cilësisë së jetës së të gjithë qytetarëve tanë”, shtoi Zaev.
Kryeministri theksoi se edhe shumë vende anëtare në BE kanë relacione të mira dhe serioze ekonomike dhe bashkëpunim me Rusinë, duke shtuar se megjithatë, nëse BE-ja kërkon prej nesh t’i bashkangjitemi sanksioneve, ne do ta bëjmë atë, sepse për ne nuk ekziston qëllim më të madh strategjik se anëtarësimi i barabartë në BE.