Mblidhni mendjen, Dritan Abazoviçi nuk u zgjodh kryeministër meqë është shqiptar

 249 total views,  1 views today

Nga Enver Robelli

Dritan Abazoviçi nuk duhet të reduktohet vetëm në përkatësinë e tij etnike, siç po veprohet me entuziazëm të pafrenueshëm në çarshinë politike të Facebookut.

Brohoritjet: ‘Edhe një shqiptar kryeministër. Edhe një shqiptar kryeministër. Edhe një shqiptar kryeministër’ nuk e rrokin thelbin e zgjedhjes së Abazoviçit kryeministër i Malit të Zi.

Ai u zgjodh jo për shkak të përkatësisë së tij etnike, por për shkak të vlerave dhe ideve që përfaqëson. Ato janë vlera mbietnike, properëndimore, ekologjike. Atë e zgjodhi shumica e deputetëve të cilët janë sllavë. Kjo flet për një emancipim politik të konsiderueshëm të Malit të Zi nën drejtimin e Millo Gjukanoviqit. Dritan Abazoviçi u zgjodh kryeministër edhe si rrjedhojë e rrethanave specifike politike në Mal të Zi.

Në Mal të Zi ka më pak shqiptarë se ç’ka serbë në Kosovë. A do të mbretëronte ky entuziazëm i çarshisë fejsbukiane shqiptare nëse nesër kryeministër i Kosovës do të zgjidhej një serb liberal i Kosovës, i cili të qenmit e tij serb nuk e sheh si përparësi dhe politikën e tij e përqendron në të mirën e të gjithëve, pa marrë parasysh se cilës etni i takojnë qytetarët e ndryshëm? Dyshoj.

Për aq kohë sa çdo zhvillim politik shihet nga prizmi entocentrik, entuziazmi për Dritan Abazoviçin është krejtësisht i pasinqertë sepse nënkupton njëanshmëri etnocentrike para cilësisë politike.