Mbretëresha Elizabeta e Britanisë ka anuluar drekën tradicionale para Krishtlindjeve për familjen e saj të gjerë për shkak të përhapjes së variantit Omicron të koronavirusit në gjithë vendin, raportuan mediat lokale, transmeton Anadolu Agency (AA).
Dreka tradicionalisht organizohet në Pallatin Buckingham, rezidenca zyrtare e monarkes 95-vjeçare përpara se ajo të niset për qëndrimin e saj vjetor të Krishtlindjeve në Sandringham.
Mbretëreshës gjithashtu iu desh të anulonte planet për drekën edhe vitin e kaluar për shkak të kufizimeve të COVID-19.
Sipas shtypit britanik, ajo anuloi drekën për të mos i vënë në rrezik aranzhimet e njerëzve për Krishtlindje.
Këtë vit, mbretëresha pritet të takohet me anëtarët e familjes së saj të ngushtë, fëmijët, nipërit dhe mbesat e saj, në Sandringham.
Festimet e vitit të kaluar në Sandringham u anuluan gjithashtu për shkak të krizës së pandemisë.
Mbretëria e Bashkuar të mërkurën regjistroi numrin më të lartë ditor të rasteve të COVID-19 që nga fillimi i pandemisë, me 78.610 të infektuar, duke e thyer rekordin e 8 janarit, kur vendi po zbatonte një mbyllje mbarëkombëtare.
Kryeministri Boris Johnson ka bërë të ditur se qeveria nuk do të anulojë ngjarjet e festave të Krishtlindjeve dhe se nuk do të ketë kufizime në grumbullimin ose mbylljen e restoranteve, kafeneve si dhe klubeve të natës, por ai paralajmëroi njerëzit që të kenë kujdes kur planifikojnë të shoqërohen.