Kosova si duket nuk po arrin ta shfrytëzojë rrethanën e favorshme diplomatike pas invadimit rus në Ukrainë që e vuri Serbinë në pozicion të vështirë. Pak pasi Kurti premtoi se Kosova do të aplikonte për anëtarësim në BE, zëvendësi i tij që mban emrin Besnik Bislimi bëri një skandal të paparë diplomatik. Por, cili mund të jetë viti kur Kosova mund ta shohë veten si vend anëtar të bllokut evropian nëse e marrim të mirëqenë se skandale të tilla nuk ndodhin më?
Bislimi me anë të një reagimi në Twitter pas takimit me njeriun e dytë të Këshillit të Evropës Bjorn Berge kishte deklaruar se ky i fundit “mirëpriti iniciativën e Kosovës për anëtarësimin në Këshillin e Evropës”.
Ja që e vërteta ishte ndryshe dhe kjo u konfirmua nga vetë ky i fundit.
Bjorn Berge u shpreh si në vijim duke replikuar direkt postimin e Bislimit:
“Ky fatkeqësisht nuk është përshkrimi korrekt i asaj që kam theksuar në takim sa i përket aplikimit të mundshëm (të Kosovës) për Këshillin e Evropës”.
Ky skandal pritet të prodhojë pasoja në rrafshin diplomatik për vendin tonë, duke qenë se hyrja e Kosovës në KE shihej si një hap i mundshëm në forcimin e subjektivitetit ndërkombëtar meqë Rusia tashmë është përjashtuar pas rrethanave të reja.
Por, a ishte kjo huqje – përfshirë edhe atë të djeshmen me këshilltaren e Kurtit, Fëllanza Podrimjen – thjesht huqje apo tregon për mungesë strategjie në fushën e diplomacisë nga Qeveria Kurti?
Deputetet anëtare në Komisionin për Integrime Evropiane në Kuvendin e Kosovës thanë se kjo evidenton mungesë strategjie nga Qeveria.
Sidoqoftë, deputetja Time Kadrija ka thënë se në të kaluarën kemi pasur raste kur Kosova kishte aplikuar në organizata ndërkombëtare, dhe edhe shtetet që na kanë njohur kanë votuar kundër integrimit. Sipas saj, kjo është mungesë e lobit kosovar.
“Neve na ka ndodhur më parë kur kemi aplikuar në organizata ndërkombëtare, edhe vendet që e kanë njohur Kosovën kanë votuar kundër anëtarësimit. Neve na duhet një dinamizëm dhe përkushtim në mënyrë që të lobohet në këto vende veç e veç,” – është shprehur Kadriaj.
Megjithatë, meqë Kurti ka ndarë mendjen për aplikim, patjetër që duhet të ketë një strategji. Por, Kadriaj thotë se kur këtë e ka kërkuar nga kryeministri, ky i fundit nuk e ka dhënë.
“Ne kemi kërkuar të dimë cila është strategjia, por nuk kemi strategji. Unë po mendoj se kjo është humbje kohe dhe Kosova s’ka kohë për të humbur,” – thotë Kadriaj.
Në fund Kadriaj tha se minimumi çfarë mund të shpresojmë është liberalizimi i vizave, e sa për t’u bërë shtet kandidat, shanset janë minimale.
“Ajo çfarë mund të kërkojmë minimumi i minimumit, është liberalizimi i vizave meqë Kosova i ka plotësuar të gjitha kriteret. Nëse është vetëm lojë fjalësh, atëherë shanset [për t’u bërë shtet kandidat] janë minimumi i tyre,” – ka thënë Kadriaj.
Se qeveria e Kosovës ka ambicie evropiane, por nuk ka strategji, e konfirmon edhe tjetra anëtare e Komisionit për Integrim, Blerta Deliu.
“Jo, nuk ka asnjë strategji që është propozuar para komisionit, zv. Kryeministri është i zënë me dy agjenda të mëdha; dialogu dhe procesi integrues. Tu e marrë parasysh sa energjinë e merr dialogu, mund të them se kemi një minim të rolit të procesit integrues, për shkak se hapësirën kryesore e merr procesi i dialogut… Nuk është propozuar diçka në komision, as ndonjë strategji që e përshpejton procesin integrues të Kosovës,” – ka thënë Deliu për gazetën Nacionale.
Njëjtë si Kadriaj, edhe deputetja Deliu beson se para se të synohet Bashkimi Evropian, Kosova duhet të fokusohet në dialogun Kosovë-Serbi.
“Pa njohjen e pesë shteteve të BE-së, integrimi i Kosovës do të jetë shumë i vështirë. Perspektiva e Kosovës është dialogu,” – shtoi Deliu.
Kujtojmë që më dje (9 mars), emisari special i BE-së për dialogun Kosovë-Serbi, Miroslav Lajçak pati takim me emisarin special të ShBA-ve për Ballkanin Peërndimor, Gabriel Escobar ku u diskutuan edhe zhvillimet e fundit në rajonin tonë. Se çka u diskutua konkretisht për Kosovën nuk u tha prej asnjërit diplomat. E për këtë takim nuk kanë folur as nga Qeveria e Kosovës.
Po gjatë ditës së djeshme, zëvendës-sekretarja amerikane e Shtetit, Victoria Nuland, i bëri një thirrje telefonike presidentit serb Aleksandër Vuçiq për ta falenduar për qëndrimin e tij për Luftën në Ukrainë. Kosova ka pasur një qëndrim shumë më të qartë e më të shpejtë dhe i kishte vendosur sanksione Rusisë por ende nuk ka marrë një falenderim.
Reagimi qeveritar për këtë thirrje telefonike ishte po ashtu skandaloz, pasi këshilltarja e kryeministrit Kurti kishte irozinuar me fjalët e znj. Nuland.
BE-ja
Kontinenti evropian – në të cilin bëjmë pjesë edhe ne – nuk ka kufij të qartë por Bashkimi Evropian, po. Të jesh pjesë e këtyre kufijve nuk është e lehtë, por benefitet ekonomike janë të jashtëzakonshme.
Imagjinojeni të udhëtoni nga Lisbona e Portugalisë në Talin të Estonisë për katër mijë e 300 kilometra dhe askush të mos ju kërkojë pasaportë. Apo të futesh në një treg ku potencialisht i ke 450 milionë klientë.
Pra, i bie që nëse je shtetas i një prej shteteve të Bashkimit Evropian, ju mund të jetoni, punoni dhe pensionoheni në një nga këto shtete, si në shtetin tuaj.
Bashkimi Evropian është zgjeruar aq sa më 2004 ka marrë në gjirin e vet edhe shtete të ish-Bashkimit Sovjetik; Estoninë, Latvinë dhe Lituaninë.
Por, ne shembull do të marrim Kroacinë e cila njëjtë si Kosova përmes luftës doli nga ish-Jugosllavia. E gjithashtu, edhe kryeministri Kurti ka qejf ta marrë shembull për krahasim këtë shtet anëtar të BE-së kur flitet për ekonomi.
Edhe sa?
Në kohën sa ishte kryeministër, në vitet 2006/2008, Agim Çeku ishte pyetur nëse Kosova do të anëtarësohej në BE deri në vitin 2020 dhe përgjigja e tij kishte qenë e prerë: “Po!”
Kroacia kishte aplikuar për anëtarësim në BE në vitin 2003 dhe zhvilloi negociata nga 2005 deri më 2011. Traktati i anëtarësimit në mes të BE-së dhe Kroacisë u nënshkrua më 2011, ndërsa shtet anëtar u bë më 2013. Pra, dhjetë vjet nga momenti i aplikimit deri në anëtarësim të plotë.
Shtetet që aspirojnë BE-në ndahen në dy lloj; shtete kandidate dhe shtete potenciale. Kandidat konsiderohen vendet që janë në proces të integrimit. Ndërsa vendet potenciale, janë ato që kanë qejf të hyjnë në BE, megjithatë nuk i plotësojnë kërkesat për anëtarësim.
Ish-kryeministri Agim Çeku në vitin 2007 pati deklaruar me bindje të plotë se Kosova në BE do të futet shumë kohë para se të vijë 2020-a. Kanë kaluar 15 vjet nga deklarata e Çekut dhe dy të tjera nga afati i tij, e Kosova ende s’ka as viza.
Vendi ynë, bashkë me Bosnjën dhe Hercegovinën, janë të vetmet shtete të Ballkanit Perëndimor që momentalisht pos dëshirës për integrim, kriteret tjera ende nuk i kanë plotësuar.
Plani i qeverisë për integrime evropiane
Pos integrimit drejt BE-së, qeveria në planin e saj ka paraparë edhe integrimin në NATO.
Por, njëjtë si në NATO, plani i qeverisë për integrime evropiane i shkon për shtati shprehjes popullore “prashit në ujë”.
Edhe pse pa strategji, planin i qeverisë ekziston dhe në të thuhet se Kosova do të aplikojë për t’u bërë shtet anëtar i BE-së, ndërkohë që ka probleme bazike duke filluar nga dialogu me Serbinë, e deri tek mosnjohja e shteteve anëtare të BE-së.
Pika gjashtë e Deklaratës së Pavarësisë së Kosovës thotë se e ardhmja e vendit është në familjen evropiane. Por, e ardhmja nuk jep përgjigje në pyetjen “edhe sa vjet?”.
“6. Për arsye të kulturës, gjeografisë dhe historisë, ne besojmë se e ardhmja jonë është në familjen europiane. Për këtë arsye, ne shpallim synimin tonë për të marrë të gjitha hapat e nevojshëm për të siguruar anëtarësim të plotë në Bashkimin Europian sapo që të jetë e mundshme dhe për të zbatuar reformat e kërkuara për integrim europian dhe euroatlantik”.
/Nacionale. com