Çfarë ndodhi?
Përplasjet e fundit në Maqedoninë e Veriut lidhur me protestat e studentëve shqiptarë për lejimin e provimeve të jurisprudencës në gjuhën shqipe, kanë sjellë tensione edhe në raportet diplomatike mes Tiranës dhe Shkupit. Në qendër të debatit është vendosur ambasadori i Shqipërisë në Shkup, Denion Meidani, i cili ka dalë publikisht në mbështetje të studentëve.

Protesta e studentëve në Shkup, 18 Maj 2026
Konteksti
Sipas burimeve diplomatike, partia qeverisëse VMRO dhe aleati shqiptar në qeveri, VLEN, i kanë shprehur ministrit të Jashtëm Ferit Hoxha, pakënaqësi ndaj qëndrimeve të ambasadorit shqiptar, duke i konsideruar deklaratat dhe praninë e tij në protestë si ndërhyrje në çështje të brendshme.
Reagimi i Meidanit
Pas protestës së fundit të studentëve, ambasadori Denion Meidani reagoi publikisht përmes një postimi në Facebook, ku dënoi ndalimin dhe intimidimin e studentëve që udhëtonin drejt Shkupit për të shprehur solidaritet.
Sipas tij, çështja tejkalon aspektin procedural dhe prek vetë standardet demokratike dhe frymën europiane.
“Kur studentë ndalohen, vonohen dhe intimidohen teksa udhëtojnë për të shprehur paqësisht solidaritet për një të drejtë gjuhësore, çështja pushon së qeni vetëm procedurale. Ajo prek vetë mirëkuptimin demokratik dhe frymën europiane”, shkroi Meidani.
Ai theksoi se studentët shqiptarë nuk kërkojnë privilegje, por “dinjitet, barazi dhe respekt për të drejtat themelore”.

Ambasadori Denian Meidani me studentët
Kërkesa e Shkupit
Burime diplomatike bëjnë me dije se autoritetet në Shkup kanë përcjellë ankesa zyrtare në adresë të Ministrisë së Jashtme shqiptare për qëndrimet e ambasadorit shqiptar.
Sipas të njëjtave burime, partia qeverisëse VMRO dhe aleati shqiptar në qeveri, VLEN, kanë shprehur pakënaqësi lidhur me daljen publike të Meidanit në mbështetje të studentëve shqiptarë, si edhe praninë e tij në protestën e fundit të mbajtur në Shkup.
Qëndrimi i Tiranës
Në korridoret diplomatike në Tiranë po diskutohet mundësia e ndërprerjes përpara kohe të mandatit të ambasadorit Denion Meidani në Shkup.
Burimet flasin për një lëvizje të mundshme diplomatike “kokë më kokë”, ku Meidani mund të zëvendësohet nga ambasadori shqiptar në Prishtinë, Petrit Malaj.

Petrit Malaj, ambasador në Prishtinë, dhe Denian Meidani, ambasador në Shkup
Deri më tani, Tirana zyrtare nuk ka dalë me një reagim publik për zërat mbi largimin e Meidanit, ndërsa debati vijon të ndizet si në qarqet politike, ashtu edhe në opinionin publik shqiptar në Maqedoninë e Veriut.
Mbi 3100 firma në peticion për të mos larguar Meidanin
Pas publikimit të disa lajmeve në rrjetet sociale lidhur me lëvizjen në aksin Shkup–Prishtinë, një numër i madh intelektualësh shqiptarë në Maqedoninë e Veriut kanë dalë në mbrojtje të Meidanit. Ata kanë shprehur kundërshtimin e tyre ndaj largimit të tij nga Shkupi, duke e konsideruar këtë vendim të dëmshëm për marrëdhëniet dhe përfaqësimin shqiptar në rajon.
Ndërkohë, për të mos lejuar largimin e Meidanit, është iniciuar një peticion që ka mbledhur mbi 3100 firma. Ky peticion i është drejtuar kryeministrit Edi Rama dhe ministrisë së Punëve të Jashtme, Ferit Hoxha, me kërkesën për rishqyrtimin e vendimit./ Politiko.al


