Protesta e aktivistëve dhe qytetarëve në Tiranë shënoi këtë të hënë ditën e 51-të të saj. Ashtu si çdo mbrëmje, protestuesit u mblodhën fillimisht në sheshin “Skënderbej”, nga ku marshuan drejt Kryeministrisë, ku po mbajnë fjalimet e përnatshme.
Edhe këtë herë, protestuesit përsëritën thirrjet e tyre “ju erdhi fundi”, “Shqipëria kërkon revolucion” dhe “dorëheqje” ndërsa kanë deklaruar se do ta vijojnë protestën deri në përmbushjen e kërkesave të tyre.
Pas fjalimeve para Kryeministrisë, protestuesit marshojnë në rrugët e Tiranës.
Më herët, gjatë paradites, një grup protestuesish u mblodh para godinës së Parlamentit të Shqipërisë, në kohën kur zhvillohej seanca plenare.
Me mbërritjen e automjeteve të deputetëve socialistë, protestuesit i qëlluan ato me vezë. Organizatorët e kishin cilësuar protestën si simbolike, ndërsa kësaj radhe vezët ishin të personalizuara me emrat e deputetëve.
Mes automjeteve të goditura me vezë ishin edhe ato të ministres së Arsimit, Mirela Kumbaro, dhe drejtuesit politik të PS-së për qarkun e Vlorës, Bledar Çuçi, teksa hynin në Kuvend. Me vezë u qëlluan edhe automjete të tjera të deputetëve socialistë që mbërrinin për seancën plenare.


