Kanali televiziv i NATO-s i ka kushtuar një kronikë bazës ajrore të Kuçovës, një projekt ky mjaft i rëndësishëm për Shqipërinë.
Kryeministri Edi Rama uroi “mirëmëngjes” me këtë kronikë të transmetuar nga kanali televiziv i NATO-s.
“Mirëmëngjes dhe me këtë kronikë të mirëseardhur nga kanali televiziv i NATO-s kushtuar Bazës së Kuçovës, ju uroj një ditë të mbarë”, shprehet kryeministri Rama.
“Në Shqipëri gjendet një varrezë aeroplanësh MIG. MIG 15, 17 dhe 19 nuk përdoren më. Aeroplanët i përkasin kohës së regjimit komunist dhe vendndodhja e tyre është baza ajrore e Kuçovës. Në Kuçovë ka pasur gjithnjë e më pak aktivitet me kalimin e viteve. NATO ka rënë dakord të investojë 51 milionë euro për të modernizuar Kuçovën”, thuhet në kronikën e kanalit televiziv të NATO-s.
Presidenti i Shqipërisë, Ilir Meta thekson se “modernizimi i bazës ajrore të Kuçovës është shumë i rëndësishëm dhe tregon se Aleanca është ende shumë aktive në të gjithë rajonin tonë”.
“Kjo tregon gjithashtu se Shqipëria është një anëtar i besueshëm i NATO-s. E gatshme të marrë përsipër më shumë përgjegjësi në të mirë të paqes dhe sigurisë në të gjithë rajonin”, nënvizon Meta.
Ndërsa Gjenerali Tod Walters, komandant në Komandën Ajrore të Forcave Aleate shprehet se “afërsia me rajonin lidhet me të gjithë kontinentin europian. Kur i hedh një sy rajonit të Adriatikut kur shikon krahun jugor të kontinentit europian paqja dhe prosperiteti është i rëndësishëm”.