Në kërkim për përndjekje dhe thyerje të masës së sigurisë, ekstradohet nga Dubai 39-vjeçari

albnews
By
1 Min Read

Një 39-vjeçar nga Lushnja, i identifikuar si K. A., është ekstraduar nga Dubai në Shqipëri, pas një operacioni të suksesshëm të realizuar nga Drejtoria e Interpolit në bashkëpunim me zyrën e Interpol Abu Dhabit.

Policia e Shtetit ka bërë publike pamjet e operacionit të ekstradimit nga Dubai, ku u kap dhe u rikthye në Shqipëri një shtetas shqiptar i shpallur në kërkim ndërkombëtar.

Operacioni, i koduar “The Wanted”, kishte si qëllim identifikimin, lokalizimin dhe ekstradimin e personave që i fshiheshin drejtësisë shqiptare duke u strehuar në Emiratet e Bashkuara Arabe.

K. A. ishte shpallur në kërkim ndërkombëtar nga autoritetet gjyqësore në Tiranë dhe Fier.

Në vitin 2024, Gjykata e Apelit e Juridiksionit të Përgjithshëm në Tiranë i kishte caktuar masën e sigurisë “Arrest në burg” për veprën penale “Përndjekje”.

Ai akuzohet se për një periudhë të gjatë ka përndjekur fizikisht dhe në rrjetet sociale shtetasin R. R. dhe familjarët e tij.

Po ashtu, Gjykata e Fierit e ka dënuar në vitin 2024 me 9 muaj burg për veprën penale “Largimi i të burgosurit nga vendi i qëndrimit”, duke thyer masën e sigurisë të caktuar më herët.

Share This Article